Koalicioni VLEN shpalos dyshime për korrupsion të “Frontit Evropian”
Dyshime për korrupsion politik dhe furnizime publike...

Dyshime për korrupsion politik dhe furnizime publike përmes Lotarisë shtetërore janë akuzat të cilat koalicioni VLEN i adresoi sot drejt disa figurave të “Frontit Evropian”, ku në fokus ishte deputeti, Elmi Aziri.
Bëhet fjalë për tenderë, të cilët në vitin 2022 i ka fituar nipi i bashkëshortes së Elmi Azirit, të cilat kapin shumën prej 3 milionë denarëve. Sipas VLEN-it, këto furnizime publike kanë të bëjnë me pajisje kompjuterike, stacione grafike dhe TV për tërheqjen e lotarisë, si dhe televizorë për instalimin e lojërave elektronike.
“Artan Ajruli paraqitet si pronari i kompanisë “RITRON KOPI DOOEL”, import-eksport - Kumanovë, i cili është nipi i bashkëshortes së Elmi Azirit. Kjo kompani gjatë vitit 2022, për vetëm tre muaj ka fituar dy furnizime publike në Lotarinë Shtetërore, ku drejtor ka qenë Përparim Bajrami, dora e djathtë e Artan Grubit. Të nderuar, shihni pra ironinë! Kuadrot e Ziadin Selës dhe Ali Ahmetit, të cilët gjatë ditës në mënyrë të rreme mbrojnë qytetarët nga lojërat e fatit, kanë përfituar pikërisht nga bizneset me kazinotë.”, - deklaroi Bujare Abazi nga koalicioni VLEN.
Pretendimet e tilla janë përgënjeshtruar nga vetë Elmi Aziri, i cili i ka cilësuar si tendencë për ta sulmuar edhe biznesin shqiptar.
“Pas de shqiptarizimit masiv të institucioneve, pas skandaleve të njëpasnjëshme, radhën e ka edhe biznesi shqiptar që të përjashtohet nga veprimtaria institucionale, që t’u pamundësohet përmes frikës dhe kërcënimeve, qoftë edhe publike, që tui pamundësohet që të marrin pjesë nëpër shpalljet publike gjithandej vendit që janë të garantuara me ligj.”, - theksoi Elmi Aziri nga “Fronti Evropian”.
Subjekti ekonomik në fjalë, sipas Azirit, është një biznes i konsoliduar dhe vepron para se ai të bëhet familjar i tyre dhe e gjithë përpjekja e koalicionit VLEN, sipas tij është që të bëjnë lajme senzacionale të pabaza për ta defokusuar opinionin nga skandalet në politikbërjen shqiptare. (Armend Murseli, TVM2)
