VLEN: Largohet tabela pa shqipen, rivendoset e vjetra

14.09.2024 16:14

Tabelat që u vendosën në kufirin me Kosovën...

Tabelat që u vendosën në kufirin me Kosovën, në Bllacë, në të cilat nuk figuronte gjuha shqipe, janë hequr. Tani në hyrje të kufirit qëndron tabela e vjetër Republika e Maqedonisë së Veriut, e shkruar në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze.

Nga VLEN thonë se tabela ka qenë e porositur nga ish-drejtuesit e Ndërrmarjes së Rrugëve Shtetërore, ndërsa kanë urdhëruar të prodhojnë një të re në përputhje me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Zv. Kryeministri Mexhiti: Ky rast është një tendencë për destabilizim

Zv/kryeministri Izet Mexhiti, e cilëson këtë aktë si tendencë për destabilizim.

“Pra, edhe në këtë rast është një tendencë për destabilizim. VLEN e mbuloi turpin e Bashkimit Demokratik për Integrim. Ajo tabelë është vendosur në bazë të atyre 2 kilometrave që u stërzgjatën atje. Në bazë të projektit që e ka udhëhequr Ejup Rustemi. Mirëpo, ne reaguam në mënyrë institucionale dhe brenda natës u përmirësua gabimi që e kanë bërë ata, që kanë bërë vite të tëra gabime të këtilla, të cilat shfrytëzojnë çdo rast për të destabilizuar situatën politike. Përveç që e ka bërë ndërmarrja që e ka bërë rrugën, e ka bërë edhe ndërmarrja që e ka fituar tenderin e sinjalistikës që është e afërt dhe tejet e afërt me Bashkimin Demokratik për Integrim” – tha Zv. Kryeministri Izet Mexhiti.

VLEN paralajmëron se do të ketë hetim të brendshëm, për të pare nëse bëhet fjalë për një gabim teknik apo një provokim i qëllimshëm me prapavijë politike. (Sanije Duraku, TVM2)