Rumania goditet nga përmbytjet, 4 viktima dhe dhjetëra të evakuar

14.09.2024 18:25

Katër të vdekur, dhjetëra të evakuar...

Katër të vdekur, dhjetëra të evakuar dhe shumë dëme materiale ka shkaktuar cikloni Boris gjatë natës në rajonet lindore të Rumanisë.

Një person i pestë i cili gjithashtu është gjetur I vdekur në zonë kishte vdekur dy ditë më parë dhe vdekja e tij nuk kishte asnjë lidhje me motin, kanë njoftuar autoritet romune. 

Viktimat ishin kryesisht të moshuar, duke përfshirë dy gra të moshës 96 dhe 86 vjeç. 90 persona të tjerë u evakuuan.

Njerëzit janë detyruar të ngjiten në çatitë e shtëpive të tyre, duke pritur ekipeve e shpëtimit që t’i evakuonin.

Shumë rrugë janë bllokuar në të dyja këto zona, ku për shkak të shirave të rrëmbyer, niveli i ujit në disa vende, mbërriti deri në 3 metra.

Në Galaci, në ndihmë të misioneve të kërkim shpëtimit u dërgua edhe një helicopter Black Hawk.

“Çfarë të them, bije shi gjatë gjithë natës, shtëpia ime është nën ujë. Në vitin 2012 nuk u fut uji në shtëpi, as në vitin 2016 kur kishte vërshime të mëdha.  Asnjëherë më parë nuk na ka ndodhur kjo. Tani gjithçka është e shkatërruar nuk më ka ngelur as edhe një gjë.”

“Në 75 vitet e jetës sime, uji nuk ka arritur kurrë në këtë vend. Unë kurrë nuk e kam parë këtë më parë"

Vërshimet e befasishme të ujit kanë prekur sipas autoriteteve lokale, 19 fshatra në tetë qarqe të rajonit. Reshjet e shiut janë parashikuar të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa autoritet janë vënë në gatishmëri në Republikën Çeke, Poloni, Sllovaki, Hungari, në jug të Gjermanisë dhe disa pjesë të Austrisë.

Në Çeki, 63 mijë banesa mbetën pa energji elektrike, një spital i qytetit të dytë më të madh të vendit, Bërno u evakua, ndërsa me dhjetëra linja hekurudhore u mbyllën për shkak të përmbytjeve apo pemëve të rrëzuara.

Në Poloni, me dhjetëra vetë u evakuan si masë paraprake nga zonat pranë basenit të lumit Nysa, niveli i të cilit është rritur ndjeshëm. (Sanije Duraku, TVM2)