VLEN, dëshmi të reja për keqpërdorim me tender
Koalicioni shqiptar në pushtet “VLEN”....

Koalicioni shqiptar në pushtet “VLEN”, vazhdon me akuza drejt funksionarëve të “Frontit Evropian”, të cilët gjatë kohës kur BDI ka qenë në pushtet, familjar të tyre kanë fituar tender nga institucionet publike.
Sipas Bujare Abazit, familjar i afërt me deputetin Elmi Aziri, me amin të BDI-së ka fituar katër tender, edhe atë 1 nga Komuna e Likovës, nga Shkolla e mesme “Ismet Jashari” në Likovë, nga gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë dhe IPSH – Shtëpia e Shëndetit – Kumanovë.
“Këto të dhëna janë tregues i qartë se pavarësisht nga vlera e furnizimeve, pa aminin e BDI, asnjë kompani nuk mund të fitojë asnjë denar. Është e qartë se BDI ka sunduar si strukturë mafioze e cila nuk është përmbajtur nga abuzimi me mjetet financiare të popullit, për realizimin e ndikimit politik. Andaj, e inkurajojmë udhëheqësinë e opozitarëve të Frontit Europian, ti japin shpjegim të mirë anëtarësisë, arsyen për dyshim për korrupsion politik të funksionarëve të mëparshëm të Ali Ahmetit dhe Ziadin Selës.” – u shpreh Bujare Abazi nga “VLEN”.
ASH e Selës: Harrojeni Azirin, ku mbeti “Akademia Shqiptare”
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës, me kundërakuza ndaj VLEN. Prej drejtuesve të koalicionit në pushtet kërkuan të sqarohen se pse heshtin sa i përket institucionalizimit të Akademisë së Shqiptarëve për Shkencë, Kulturë dhe Art.
"Pyesim publikisht shqiptarët që pa legjitimitet hyjnë në Qeveri, a kanë përgjigje për Mickoskin, ku ngeli Akademia e trumbetuar, a është e vërtetë se ua ka mbyllur gojën, si dhe a guxojnë t'i përgjigjen Mickoskit. Paraprakisht ju bëjmë thirje që të mos shtrembërojnë të vërtetën dhe të mos luajnë me lojë fjalësh, por t'i përgjigjen direkt padronit të tyre”.
VMRO-DPMNE: Shumë parregullësi gjatë prokurimeve publike
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE akuzojnë LSDM-në dhe BDI-në për parregullsi gjatë furnizimeve publike në shumë institucione shëndetësore.
“Kontrollet të cilat janë zbatuar nga ana e institucioneve në ISHP-së dhe klinikat, nxjerrin fakte se LSDM-ja dhe BDI-ja në shëndetësi kanë parë biznes. Janë keqpërdorë furnizimet publike në ISHP dhe klinika. Përveç tenderëve të turbullta të Filipçes në nivel qendror, për të cilat opinioni është në dijeni, janë bërë keqpërdorime në shumicën e ISHP-së. Nga 24 kontrolle të plota financiare të kryera, në 19 janë konstatuar parregullsi në pjesën e kontrollit të zbatimit të procedurave të prokurimit publik” – tha Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE.
Nga kjo parti thonë se tani që paregullsitë dalin në sipërfaqe, patjetër të ketë edhe përgjegjësi. (Sanije Duraku, TVM2)
