Stuhia “Boris”, përmbytje shkatërruese në të gjithë Evropën

15.09.2024 16:20

Banorët e pjesëve qendrore dhe lindore të Kontinentit të Vjetër....

Banorët e pjesëve qendrore dhe lindore të Kontinentit të Vjetër janë goditur nga ndryshimet klimatike. Pas valëve të të nxehtit, ata tashmë janë të detyruar të mbyllin rradhët e tyre dhe të fillojnë të luftojnë me përmbytjet e mëdha të shkaktuara nga furia e stuhisë “Boris”, që solli me vete erëra të forta dhe të reshura të fuqishme.

Situata më alarmante është në Rumani, ku ka edhe viktima. Dhjetra njerëz janë evakuuar, mbi 200 zjarrfikës janë përfshirë në operacionin e shpëtimit për të nxjerrë njerëzit e bllokuar në shtëpitë e tyre.

Gjendja kritike është edhe në Republikën Çeke, ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në 38 vendbanime. Një numër i madh banesash janë përmbytur dhe mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike. Në Pragë janë vendosur barriera, po evakuohen banorët për shkak të rrezikut të vërshimit të lumit Vltava.

“Derisa po bisedoja me fqinjët, në dhjetë minuta niveli i ujit u rrit me 20 centimetra. Jam i shqetësuar, nuk e di se çfarë do të ndodhë nëse të reshurat do të vazhdojnë. Liqene do të formohen në fusha, dhe atëherë ku do të shkojë ai ujë? Është shumë keq, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, thotë një banor i Brantice, Republika Çeke.

“Duhet të keni mjaft thasë me rërë, pak dru, disa dërrasa dhe të kontrolloni sa ujë do të hyjë”. – u shpreh një banor i Luzës, Republika Çeke.

Stuhia “Boris” që nga e enjtja ka sjellë erëra të forta dhe reshje të dendura shiu edhe në Poloni, Austri, Hungari, Sllovaki dhe Kroaci.

Pas rritjes dramatike të nivelit të ujit të lumenjve, po bëhet evakuimi i popullsisë në Poloni. Edhe Austria po përgatitet për vërshime të mundshme të lumenjve.

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje të mëdha si në Kroaci, ashtu edhe në Gjermani.

Shkalla e tretë e rrezikut është lëshuar në metropolin hungarez. Pas rënies së menjëhershme të temperaturave, reshjet e para të borës janë vërejtur në vendet më të larta dhe male.

Në pjesët perëndimore të Austrisë dhe në disa pjesë të Gjermanisë, bora shkaktoi kaos në trafik.

Në Slloveni dhe Bosnje-Hercegovinë ka reshje bore. (Fitim Kryeziu, TVM2)