Delegacioni i Këshillit Evropian takon Ahmetin e Thaçin, kriza politike në fokus të takimeve

23.04.2015 18:37

Delegacioni i Këshillit Evropian për Ballkanin Perëndimor i interesuar për krizën politike në vend, në Tetovë takoi liderin e BDI-së, Ali Ahmetin...

Delegacioni i Këshillit Evropian, gjatë qëndrimit në selinë e partisë së Ahmetit shprehu interes për t’u njohur edhe për marrëdhëniet ndëretnike, çështjen e emrit, Marrëveshjen e Ohrit, si dhe incidentin në Gushincë.

Kryetari I BDI-së, Ahmeti, i ka informuar ata për kërkesën e BDI-së që komuniteti ndërkombëtar ta lehtësojë dialogun politik me përfshirjen e të gjitha palëve. BDI ka kërkuar gjithashtu monitorim të procesit gjyqësor nga ana e ekspertëve ligjor dhe të hetuesisë nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që të garantohet kredibiliteti i procesit dhe të përfitohet besueshmëria e palëve. 

“Zgjidhja duhet të jetë rezultat i dialogut politik të partive në vend me ndërmjetësim të komunitetit ndërkombëtar. Krizën politike në vend përpiqen që ta shfrytëzojnë grupe të ndryshme për qëllime që s’kanë të bëjnë me stabilitetin, sigurinë, paqen, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, e aq më pak integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian”- thuhet në komunikatën e lëshuar nga BDI.

Delegacioni i Këshillit Evropian për Ballkanin Perëndimor më pas ka takuar edhe liderin e PDSh–së, Menduh Thaçin. (Meral Ismaili, TVM2)