Botë

FBI-ja heton atentatin e mundshëm mbi Trampin

16.09.2024 09:25

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ishte shënjestër....

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ishte shënjestër e, mesa duket, një përpjekjeje për ta vrarë, tha Byroja Federale e Hetimeve, FBI.

Incidenti ndodhi pranë një prej klubeve të tij të golfit në Florida, vetëm nëntë javë pasi Trampi, kandidat i Partisë Republikane për president, i mbijetoi një tjetër atentati në një tubim parazgjedhor në Pensilvani.
 
Policia tha përmes një deklarate se Trampi “është i siguruar dhe i padëmtuar nga atentati i mundshëm”. Fushata e Trampit tha, gjithashtu, se kandidati 78-vjeçar është mirë, pas të shtënave me armë në afërsi të tij. Në një postim në mediat sociale, Trampi e lavdëroi punën e Shërbimit Sekret dhe të Policëve, duke i cilësuar ata si “patriotë të guximshëm dhe të përkushtuar” për garantimin e sigurisë së tij.
 
Autoritetet thanë se kanë arrestuar një të dyshuar, i cili është dërguar në paraburgim. Ato nuk e bënë publik emrin e tij, por mediat amerikane, si e identifikuan atë si Rajan Ueslej Rut, 58-vjeçar, aktualisht me banim në Havaje. Sipas të dhënave publike, Ruti është punëtor ndërtimi, me një histori të gjatë shkeljesh. Ai është zhvendosur nga Karolina e Veriut në Havaje disa vite më parë dhe ka shprehur mbështetje për Partinë Demokratike në ShBA dhe për Ukrainën në faqet e tij në mediat sociale.