Maqedoni
Zgjerohet lista pozitive e ilaçeve, 9 ilaçe të reja në dispozicion për qytetarët Taravari: Lista do të zgjerohet edhe më tej
16.09.2024 10:25
Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor zgjeruan listën pozitive të barnave...

Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor zgjeruan listën pozitive të barnave, bëjnë të ditur nga Qeveria. Nga sot qytetarët do të mund të marrin edhe nëntë barna të reja në listën pozitive.
“Listës iu shtuan nëntë gjenerikë të rinj, gjegjësisht 87 barna në emra, forma, forca dhe ambalazhe të ndryshme për shtypjen e gjakut, sëmundjet e zemrës, anti-agregantët, ilaçet për trajtimin e depresionit dhe demencës. Zgjerimi i fundit i listës pozitive ishte në vitin 2009 dhe në 2014 kur u shtua vetëm një ilaç. Por, që nga dita e sotme është zgjeruar duke përfshirë 9 barna të reja. Atë që u premtuam qytetarëve, marrim përsipër ta realizojmë. Me këtë zgjerim të 9 barnave të reja do të reduktohet ndjeshëm numri i pacientëve që paguanin privatisht për barnat. Gjithashtu, ky zgjerim i listës pozitive është vetëm fillimi. Zgjerimi i ri i radhës i listës pozitive pritet të jetë në fund të dhjetorit.”, thekson ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sipas të cilit qytetarët nga sot në barnatore mund të marrin edhe 9 ilaçe të reja me recetë.
“Ilaçe të reja në kuadër të listës pozitive ka para tre javësh kur kaluan në këshillin drejtues të fondit, ndërsa sot ka në barnatore. Janë 9 ilaçe të reja dhe unë shpresoj se edhe në fillim të vitit që vjen lista pozitive e barnave do të zgjerohet edhe me ilaçe të reja. Kjo duhet bërë minimum dy herë në vit. Do të tentojmë ta plotësojnë listën pozitive. Do të ishte më mirë që të gjitha barnat të përfshihen në kuadër të listës pozitive, por ne jemi shtet i varfër dhe duhet t’i racionalizojmë shpenzimet.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
