Maqedoni
VLEN: Institucionet të hetojnë rastin me Elmi Azirin
16.09.2024 15:05
Bujare Abazi nga koalicioni VLEN ngriti dyshime të reja për dhënien e tenderëve gjatë qeverisjes së kaluar...

Bujare Abazi nga koalicioni VLEN ngriti dyshime të reja për dhënien e tenderëve gjatë qeverisjes së kaluar dhe u bëri thirrje institucioneve kompetente që të veprojnë dhe hetojnë rastin me Elmi Azirin, për të cilin thonë se kanë dëshmi se ka konflikt interesi. Nga ky koalicion kërkojnë që institucionet të hetojnë nëse këto tenderë janë marrë për shkak të ndikimit politik të arritur nga deputeti, Elmi Aziri.
“Tashmë është e qartë se përse deputeti Elmi Aziri ishte një nga mbështetësit më të zëshëm të koalicionit të Ziadin Selës me Ali Ahmetin. Është koha për veprim! Ftojmë Komisionin Kundër Korrupsionit, Policinë Financiare dhe Prokurorinë Publike të kontrollojnë: A ka raportuar deputeti Elmi Aziri në fletën e anketimit se firma e nipit të bashkëshortes së tij është rrethanë e mundshme për konflikt interes? A ka shtuar pasurinë deputeti Elmi Aziri në periudhën nga qershori 2021 deri në tetor 2022 apo më pas?”, - theksoi Bujare Abazi nga koalicioni VLEN.
Po ashtu apelojnë që institucionet të veprojnë brenda një kohe të arsyeshme, ndërsa VLEN-i do të jetë në dispozicion për informacione shtesë për të cilat konsiderojnë se do t’i ndihmojnë për të pastruar këtë dosje me efikasitet.
SANIJE DURAKU
