Maqedoni
Nga dita e sotme, 9 barna të reja në barnatore, qytetarët mirëpresin vendimin e Qeverisë
16.09.2024 15:23
Nga dita e sotme në barnatore u shpërndanë nëntë barna të reja në listën pozitive....

Nga dita e sotme në barnatore u shpërndanë nëntë barna të reja në listën pozitive. Në listë janë ilaçet për presionin e gjakut, për sëmundjet e zemrës, antiagregantet, ilaçet për trajtimin e depresionit dhe demencën. Me këtë zgjerim të 9 barnave të reja do të pakësohet numri i pacientëve që paguanin privatisht për barnat. Qytetarët e mirëpritën këtë vendim.
“Mirë është me qenë me sigurim se unë afër 6 mijë denarë paguaj ilaçe për vete dhe shoqen, ndërsa rrogën e kam 13.500 denarë.”, - tha një qytetar.
“Kjo është mirë, sepse unë përdori barna për tension të gjakut dhe me pëlqen ky vendim”, - tha një qytetare.
“Pikërisht me barna merrem, 6 mijë denarë harxhoj për barna, ndërsa pensionin e kam 13 mijë denarë. Po, tash do të na lehtësohet.”, - u shpreh një qytetar.
“Nëse bëhet, mirë është, por kur do të bëhet? Ne duam të jetë sa më mirë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, paralajmëroi se në fillim të vitit të ardhshëm, lista pozitive e barnave mund të plotësohet edhe me ndonjë ilaç tjetër.
“Ilaçe të reja në kuadër të listës pozitive ka para tre javësh, kur kaluan në Këshillin Drejtues të Fondit, ndërsa sot ka në barnatore. Janë 9 ilaçe të reja dhe unë shpresoj që edhe në fillim të vitit që vjen lista pozitive e barnave do të zgjerohet edhe me barna të reja. Kjo duhet bërë minimum dy herë në vit dhe ne do të tentojmë ta plotësojmë listën pozitive. Do të ishte më mirë që të gjitha barnat të përfshihen në kuadër të listës pozitive, por ne jemi shtet i varfër dhe duhet t’i racionalizojmë shpenzimet.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Ministri Taravari u bëri thirrje të gjitha kompanive farmaceutike të interesuara, prodhuesve që të konkurrojnë dhe të jenë aktiv, që rezultati të jetë sa më i mirë për të gjithë qytetarët në vend.
VLORA LATIFI TOPOJANI
