Botë
Konjufca: Vuçiqi po na kërcënon, por nuk na frikëson
16.09.2024 16:30
“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po tenton ta kërcënojë Kosovën, por kërcënimet e tij nuk na frikësojnë.”..

“Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po tenton ta kërcënojë Kosovën, por kërcënimet e tij nuk na frikësojnë.”. Kështu ka deklaruar kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, duke shtuar se të gjitha kërkesat e Vuçiqit janë kundërkushtetuese.
“Vuçiqi po tenton t’i ruajë ato, t’i ruajë ato që nuk i ka më, po kërcënon Republikën e Kosovës përmes kësaj që e pamë, përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcënim, i cili me thënë të drejtën, nuk është që na bën përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi, sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë. Të gjitha që i bëri janë diçka që nuk ekziston më. Strukturat paralele gradualisht janë hequr prej Kosovës, po vazhdojnë të hiqen edhe sot e kësaj dite kur po flasim, mirëpo ajo substanca e tyre, do të thoja tashmë, është hequr.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjufca: Dialogu për këtë vit ka vdekur
Sa i përket dialogut me Serbinë, Konjufca thotë se për këtë vit dialogu ka vdekur.
“Unë kam thënë me këtë strukturë dhe anglisht që i thonë me këtë set ap, unë kam vlerësuar se dialogu tashmë ka vdekur. Ta shohim se çfarë po ndodh në vitin 2025, për vitin 2024 s’kemi çka flasim.”, - theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Konjufca ka theksuar se Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës dhe kushtëzimeve veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata, por kjo, siç tha ai, nuk ka qenë opsion për Qeverinë dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
GYLTENE SINANI
