Botë
ShBA, përpjekje e re për vrasje ndaj Donald Trampit
16.09.2024 16:50
Sërish objektivi i një vrasësi ka qenë kandidati republikan për president, Donald Tramp....

Sërish objektivi i një vrasësi ka qenë kandidati republikan për president, Donald Tramp. Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në klubin e golfit në Florida, disa qindra metra larg ish-presidentit. Policia arrestoi 58-vjeçarin, Rajan Ueslej Rut, teksa po përpiqej të ikte. FBI-ja po e heton rastin duke e llogaritur për një atentat të mundshëm.
"Ne do të vazhdojmë të mbështesim hetimin me burimet e plota të FBI-së, së bashku me partnerët tanë, me Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara dhe Zyrën e Sherifit të Palm Beach, si dhe Zyrën e shefit të qarkut Martin dhe FBI-në shtetërore dhe lokale.", - deklaroi agjenti special i ngarkuar, Xhefri Veltri.
Një ekip i fushatës dhe Shërbimi Sekret thanë se Trampi ishte i sigurt dhe i mbrojtur. Pas incidentit, me një deklaratë me shkrim, ai iu drejtua publikut dhe theksoi se nuk do të dorëzohet kurrë.
“Ka pasur të shtëna pranë meje, por para se thashethemet të dalin jashtë kontrollit, dua që ju ta dëgjoni këtë fillimisht nga unë: Jam i sigurt dhe mirë! Asgjë nuk do të më ngadalësojë! Unë kurrë nuk do të dorëzohem! Unitet, paqe! Le ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe. Zoti ju bekoftë!”, - theksoi Donald Tramp.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Bajden është informuar për tentativën e përsëritur për të vrarë kandidatin republikan. Ai kërkoi nga Shërbimi Sekret që të përfshijë të gjitha burimet për mbrojtjen dhe sigurinë e ish-presidentit. Nuk ka vend për dhunë në Amerikë, ka shkruar kundërshtarja e tij, Harris.
“Dënoj dhunën politike. Të gjithë duhet të bëjmë pjesën tonë që ky incident të mos çojë në dhunë të mëtejshme. Dhuna nuk ka vend në Amerikë.”, - u shpreh kandidatja për presidente, Kamala Harris.
Ky është atentati i dytë ndaj ish-presidentit Tramp. Dy muaj më parë, një person i armatosur qëlloi mbi të në një tubim të fushatës në Pensilvani. Më pas Trampi u plagos lehtë dhe agresori u vra.
FITORE DEMOLLI
