Ekonomi, Mickoski: Tre investime deri në fund të vitit

16.09.2024 17:32

Përveç katër marrëveshjeve të dakorduar...

Përveç katër marrëveshjeve të dakorduar, deri në fund të vitit, kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar edhe 3 investime të reja gjermane dhe zgjerimi i atyre ekzistuese.

Ai pas takimit të realizuar me rreth 100 kompani të organizuar nga Oda maqedono-gjermane theksoi se stabilizimi ekonomik i vendit është i nevojshëm, ndërsa një sinjal pozitiv është se ka rritje të prodhimit industrial.

Partneri ynë më i madh tregtar është Gjermania dhe këtë e vërteton shkëmbimi tregtar prej mbi 5 miliardë eurosh. 40 për qind e eksporteve janë në këtë vend.

Aktualisht më shumë se 25.000 punonjës janë në kompanitë gjermane, ndërsa me investimet e reja ky numër pritet të rritet.

“Edhe në periudhën në vazhdim presim fillimin e investimeve të reja të kompanive që tani janë prezente dhe do të ketë zgjerim, gjegjësisht thellim të portofolit të prodhimit të këtyre kompanive. Ne si Qeveri do të bëjmë çmos që të ndihmojmë, pasi që nuk ka kënaqësi më të madhe për mua dhe anëtarët e Qeverisë nga ajo kur të hapni vende të reja të punës dhe me këtë të ndihmoni që edhe ndonjë qytetar maqedonas të qëndrojë në vend.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

“Pjesë për industrinë e automobilave, pajisje mjekësore, kabllo bakri, janë disa nga produktet që Gjermania importon më së shumti nga RMV-ja. Është e nevojshme të investohet në burimet e ripërtërishme të energjisë dhe të mbahet kuadri profesional në vend.”, - thotë kryetarja e Odës së Biznesit Gjermano-Maqedonas.

“Qëllimi ynë është që investimet ekzistuese që janë në vend, sërish të reinvestojnë, por gjithashtu qëllimi ynë kryesor me Qeverinë është të tërheqim investime të reja gjermane. Ka shumë kompani cilësore të Maqedonisë, të cilat mund të jenë furnizues të kompanive gjermane.”, - theksoi drejtoresha e Odës maqedono-gjermane, Antje Vandellt.

Përveç në Gjermani, RMV-ja ka eksportuar edhe në Britaninë e Madhe, Greqi, Kinë dhe Serbi. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)