Botë
Blinkeni në Egjipt, bisedime për armëpushim në Gazë
17.09.2024 09:28
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë në Egjipt të martën mes përpjekjeve të vazhdueshme për të angazhuar...

Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, do të udhëtojë në Egjipt mes përpjekjeve të vazhdueshme për të angazhuar partnerët kryesorë rajonalë në Lindjen e Mesme për të paraqitur një propozim të rishikuar për një armëpushim në Rripin e Gazës.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë një afat kohor për propozimin e rishikuar, megjithëse zyrtarët janë shprehur se ai do të paraqitet së shpejti. Propozimi synon të zgjidhë çështjet kryesore që kanë shkaktuar ngërçin disamujor në bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti, me synimin për të siguruar një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit dhe lirimin e pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi në fillim të luftës më 7 tetor të vitit 2023. Në Kajro, Blinkeni do të bashkëkryesojë seancën hapëse të Dialogut Strategjik ShBA-Egjipt me ministrin e Jashtëm egjiptian, Badër Abdelati.
Sekretari Blinken do të takohet gjithashtu me udhëheqësit egjiptianë për të diskutuar përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Gazë, lirimin e të gjitha pengjeve, lehtësimin e vuajtjeve të civilëve palestinezë dhe sigurinë rajonale, tha zëdhënësi, Miller. Ndërkohë numri i palestinezëve të vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, ka arritur në mbi 41.000. Lufta Hamas-Izrael filloi më 7 tetor të vitit 2023, pas një sulmi nga militantët e Hamasit në Izraelin jugor, në të cilin u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Bashkimi Evropian dhe një numër vendesh të tjera perëndimore.
