Maqedoni
Kuvend, shënohet dita ndërkombëtare e demokracisë
17.09.2024 14:58
Në prani të fëmijëve dhe të rinjve të shkollave fillore dhe të mesme, në Kuvend u festua dita ndërkombëtare e demokracisë....

Në prani të fëmijëve dhe të rinjve të shkollave fillore dhe të mesme, në Kuvend u festua dita ndërkombëtare e demokracisë. Me këtë rast u potencua se demokracia nuk është e mirëqenë, por duhet të përmirësohet vazhdimisht, sepse është bazë për mbajtjen e rinisë në vend. Kuvendi ka të gjitha mjetet e nevojshme për avancimin e politikave dhe kornizave ligjore për shtetin e së drejtës dhe për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi, u tha me këtë rast.
“Unë besoj se qëllimi ynë kolektiv është të krijojmë terren që brezat e rinj të jetojnë në një mjedis ku idetë, njohuritë dhe integriteti i personit janë në radhë të parë dhe ku diversiteti është motor i përparimit dhe jo arsye për ndarje. Nga ky aspekt, duke artikuluar këndvështrime dhe interesa të ndryshme të deputetëve, si përfaqësues të popullit, Kuvendi është adresa e duhur për forcimin e kulturës demokratike dhe avancimin e debatit politik.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
“Vetëm me pjesëmarrje të plotë dhe përkrahje nga institucionet shtetërore, shoqatave civile dhe bashkësisë ndërkombëtare, ideali për demokracinë mund të bëhet realitet nga i cili do të përfitojmë të gjithë ne. Kjo ditë të jetë për ne përkujtim se janë të rëndësishme liria e shprehjes, liritë qytetare dhe sundimi i së drejtës.”, - theksoi sekretarja gjenerale e Kuvendit, Marina Dimovska.
“Mbrojtja e demokracisë mund të jetë e suksesshme vetëm nëse gjenerata e re angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të tyre, përmes aksioneve qytetare apo politike. I inkurajoj partitë politike dhe institucionet shtetërore të krijojnë më shumë hapësirë për gjeneratat e reja dhe ata të kenë ndikim më të madh në procesin e miratimit të vendimeve.”, - u shpreh ambasadorja e Zvicrës në RMV, Veronik Ulman.
Maqedonia e Veriut është ende një demokraci e re dhe një nga mësimet që ne zotërojmë është se baza e demokracisë është dialogu, mbi të gjitha mes deputetëve, si të zgjedhur të popullit, u theksua me këtë rast.
FLUTURA LATIFI
