Maqedoni
Kuvend, miratohet Ligji për huan nga Hungaria
17.09.2024 15:27
Me 65 vota “për” dhe 15 “kundër”, Kuvendi miratoi Ligjin për huamarrje prej gjysmë miliard euro nga banka hungareze Eksport - Import...

Me 65 vota “për” dhe 15 “kundër”, Kuvendi miratoi Ligjin për huamarrje prej gjysmë miliard euro nga banka hungareze Eksport - Import. Votimit të ligjit i parapriu debati njëorësh mes pozitës dhe opozitës lidhur me rrugëtimin e kësaj huaje. LSDM-ja akuzoi sërish pushtetin se propozim-ligji ka shumë paqartësi, ndërkaq vetë bisedimet për huazim janë dëshmi për jogatishmëri të Qeverisë që të menaxhojë me financat publike në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi.
“Kjo hua e implementuar në mënyrë të fshehtë, pa transparencë dhe me qëllime të dyshimta është sulm i drejtpërdrejtë mbi ekonominë e Maqedonisë së Veriut, mbi stabilitetin financiar të saj. Në Kuvend e keni marrëveshjen dhe ligjin. Këtu askund nuk shkruan sa është lartësia e shpenzimeve të fshehta ndaj institucionit juridik konsultues nga ana e bankës. Kështu që 70 mijë eurot e menduara apo ndoshta 700 mijë ose 7 milionë, i di vetëm Qeveria. Por, së shpejti do t’i shohim në financat transparente.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, duke sqaruar efektet dhe qëllimet e huamarrjes, mbron ligjin me atë se është i volitshëm dhe me shpenzime interesi dukshëm më të ulëta se huat e qeverisë paraprake.
“Janë të vetëdijshëm se kjo hua është shumë më e volitshme se të gjitha huatë e tyre të mëparshme, sepse qeveria e tij, e këtij ish-zëvendëskryeministri, vetëm nga muaji janar deri në qershor 2024, për gjashtë muaj kanë bërë shpenzime buxhetore prej 182 milionë euro për kamatë. Në të njëjtën periudhë në vitin 2023 shpenzimet ishin 108 milionë euro, ndërsa në vitin 2022 ishin 83 milionë euro.”, - theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
Shuma totale e kredisë nga banka hungareze e Eksport-Importit është 500 milionë euro. Kredia do të merret në një këst me afat shlyerjeje prej 15 vjetëve, me grejs periudhë prej tre vitesh dhe kamata fikse me lartësi prej 3.25 për qind. Siç sqarojnë përfaqësuesit e Qeverisë, gjysma e mjeteve nga kjo kredi do të dedikohen për zhvillimin e komunave, ndërsa pjesa tjetër do të shpenzohet për afarizëm dhe ekonomi, si dhe për nevoja buxhetore.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
