Maqedoni

VMRO-DPMNE-ja, akuza për ish-udhëheqësin e MEPSO-s: Në vend të energjetikës, është marrë me donacione

17.09.2024 15:47

VMRO-DPMNE-ja akuzon Qeverinë e kaluar LSDM – BDI se kanë harxhuar paratë e qytetarëve pa karar...

VMRO-DPMNE-ja akuzon Qeverinë e kaluar LSDM – BDI se kanë harxhuar paratë e qytetarëve pa karar, pa qëllim dhe plan në sektorin e energjetikës. Nga pallati i bardhë kanë publikuar informacione me të cilat pretendojnë se udhëheqësia e kaluar e MEPSO-s, në vend të transmetimit të energjisë elektrike, ka bërë donacione dhe sponsorime të klubeve sportive dhe kjo ka çuar te një sistem jo stabil energjetik dhe rritje të faturave të energjisë elektrike.  
 
“Donacionet dhe sponsorizimet janë si më poshtë: Fitnes klubi “Dinamik” - Shkup ka marrë 200.000 denarë? Pse dhe cila është lidhja e kompetencës së MEPSO-s me donacionet dhe sponsorizimet e një klubi fitnesi? Po ashtu, donacion prej 100.000 denarë për Shoqatën Stomatologjike të Maqedonisë MSD - Shkup. Si, pse dhe cila është baza për këtë donacion? Cili është përfitimi i shoqërisë nga ky donacion? Donacion apo sponsorizim është bërë edhe për klubin “Shkendija” - Haraçinë me pagesë më 08.03.2024 në shumë prej 300.000 denarë. Apo për Bashkimin? Sepse për këtë klub në muajin mars të këtij viti janë ndarë mjete në vlerë prej 250.000 denarë?”, - deklaroi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva. 
 
LSDM: Qeveria gënjen, subvencionet janë të papaguara
 
Nga opozita maqedonase LSDM, nuk kanë kundërreagim për akuzat  e VMRO-së për MEPSO-në, por akuzojnë Qeverinë e Mickoskit  se po vonon pagesën e subvencioneve ndaj fermerëve, praktikë kjo që sipas socialdemokratëve është karakteristikë e DPMNE-së.
 
“Është gënjeshtër se do të paguhen subvencionet e 4 viteve të kaluara. Sot me një miliard nga rebalanci nuk do të paguhen borxhet e viteve të kaluara, por subvencionet sipas kërkesave aktuale nga viti 2023. Agjencia përgjegjëse për pagesat duhet të shpallë dhe informojë publikisht për cilin program apo vit janë shpenzuar paratë nga ky ribalancim.”, thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së. 
 
Por, nga VMRO-DPMNE-ja thonë se me këtë reagim LSDM-ja ka nokautuar veten dhe i porosisin që të marrin mësim nga menaxhimi aktual i Ministrisë së Bujqësisë, pasi siç thonë, në kohë të DPMNE-së nuk do të ketë fermerë të pakënaqur.
 
SANIJE DURAKU