USSH–bojkoti vazhdon, pritet ftesë nga MASH-i për bisedime

24.04.2015 15:20

Pas marshit të djeshëm të nxënësve të shkollave të mesme të përkrahur edhe nga Plenumi i Studentëve kundër reformave të cilat ata i vlerësojnë si negative, USSH doli me qëndrim se do të vazhdojnë të insistojnë në bojkot të mësimit nga nxënësit dhe studentët përderisa të ulen në bisedime me MASH-in...

“USSh do të vazhdojë të insistojë në bojkot të studentëve dhe nxënësve. Qëndrimi ynë ka qenë dhe do të mbetet që MASh-i të na dëgjojë dhe të ulemi në bisedime. Deri tash nuk kemi hasur në pozitivitet, por ne do të vazhdojmë me të njëjtin qëndrim dhe do të insistojmë që nxënësit dhe studentët të dalin në qëndrimin e tërheqjes së testimit dhe që vet ministri të na dëgjojë dhe të ulemi në bisedime”- deklaroi Arben Hajrullahi nga USSh.

Plenumi i Nxënësve të Shkollave të Mesme gjatë ditës së djeshme paralajmëroi se do të kampojnë para MASh-it, por gjatë ditës së sotme nuk u realizua ky synim. Procesi mësimor në shkollat me mësim në gjuhën shqipe po zhvillohet në mënyrë të rregullt, por ka edhe nxënës të cilët protestojnë.

“Edhe pse nxënësit po zhvillojnë mësim të rregullt në shkollën ku mësoj unë dhe shkollat tjera, ka nxënës të cilët dalin protestojnë dhe marshojnë dhe mbështesin kërkesat tona që i kemi në përgjithësi si nxënës, po ashtu edhe studentë”- tha Nermin Hamiti nga Plenumi i Nxënësve.

Nga Plenumi i Nxënësve bëjnë të ditur se po vazhdojnë konsultimet për formën se si do të zhvillohet bojkoti të hënën nëse MASh-i nuk i fton në takim. Kërkesat e tyre janë tërheqja e testimit ekstern, anulimi i provimit të matematikës edhe për drejtimet matematiko-natyrore dhe ndryshimet në formën e realizimit të maturës shtetërore. (Flutura Latifi, TVM2)