“Sulmi” në Gushincë, Zaev: Kurdisje perfekte të proceseve të lajthitura, edhe “Puç” dhe “Ryshfet” të kurdisura

24.04.2015 15:35

Kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, ka ngritur dyshimet se “Rasti Gushincë” sërish është skenar i çmendur i pushtetit...

Ai ftoi institucionet përkatëse dhe stafin profesionist që të ruajnë sigurinë, të mbrojnë sundimin e ligjit në harmoni me kushtetutën dhe ligjet në fuqi. 

“Unë shpresoj se bëhet fjalë për kurdisje perfekte të proceseve të lajthitura që nuk janë të mirëseardhura për Republikën e Maqedonisë. Të marrin dhe të bëjnë punën e vetë ata që janë të obliguar që të ruajnë sigurinë në RM-së, para së gjithash besoj shumë në ata persona profesionistë në MPB dhe shërbimet përkatëse se do të reagojnë në kohë, në harmoni me kushtetutën dhe ligjin, pa asnjë paramendim, pa përllogaritje. RM-së është shtet me kushtetutë dhe ligj, të cilët duhet të respektohen”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Zaev hodhi poshtë edhe krahasimet se një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe para konfliktit të vitit 2001. Këto komente Zaev i bëri pas dorëzimit të dëshmive të opozitës kundër rastit “Puç” dhe “Ryshfet”, në të cilat kreu i opozitës ngarkohet për sulm mbi zyrtarë të lartë të pushtetit dhe ryshfetmarrje, në rastin e dytë. Sipas Zaevit, të dy rastet janë të kurdisura.      

“Sot, në Prokurorinë Publike i dorëzojmë dëshmitë për rastet e kurdisura, “Puç” dhe “Ryshfet”. Nuk ka dëshmi për ushtrim të dhunës nga ana jonë ndaj përfaqësuesve të organeve më të larta shtetërore, në rastin konkret ndaj kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe as spiunim. Përkundrazi, ka dhunë ndaj rendit kushtetues të RM-së nga ana e Nikolla Gruevskit, Sasho Mijallkovit dhe disa njerëzve të tjerë rreth tyre. Prandaj kërkojmë që prokurori publik sapo të shqyrtojë dëshmitë, menjëherë të ndërpresë procedurën për rastin e kurdisur “Puç” dhe të ndërpresë përndjekjen penale nga kriminelët Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Zaev sot dorëzoi një pjesë të dëshmive materialeve nga përgjimi në masë. Një pjesë tjetër të dëshmive materialeve do t’a dorëzojë gjatë procesit gjyqësor, ndërsa materialin në total do t’ua dorëzojë institucioneve përkatëse pasi të ndodhë në vepër, siç tha ai, ndarja e pushtetit gjyqësor nga ai ekzekutiv, përkatësisht pas formimit të qeverisë kalimtare, pasi konsideron se ato dëshmi janë pronë e Republikës së Maqedonisë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)