Maqedoni

Bashkëpunimi i partive shqiptare, Taravari: Jemi të gatshëm për bashkëbisedim

18.09.2024 11:44

Koalicioni VLEN shprehet i hapur për bashkëpunim me “Frontin Evropian”...

Koalicioni VLEN shprehet i hapur për bashkëpunim me “Frontin Evropian”, për temat e rëndësishme në interes të shqiptarëve. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njëri nga krerët e koalicionit VLEN, thotë se janë të gatshëm të bisedojnë, harmonizojnë ide për arritjen e konkluzave të përbashkëta, por konsideron se “Fronti Evropian” fillimisht duhet ta pranojë se është opozitë.
 
“Ne çdo herë kemi qenë të hapur për të biseduar për të gjitha temat e rëndësishme, kështu që asnjëherë nuk kemi refuzuar një ide të mirë. Fillimisht, ato duhet të pranojnë se janë në opozitë, të adaptohen se janë në opozitë dhe të bëjnë ftesë. Kur të bëjnë ftesë ose ne mund t’u bëjmë nëse kanë diçka të rëndësishme që mendojnë se duhet ta bisedojmë, jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë me gjithsecilin.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Sela: Bashkë kundër politikave antishqiptare
 
Taravari iu kundërpërgjigj ftesës publike të Zijadin Selës nga “Fronti Evropian”, që forcat politike shqiptare bashkërisht t’i bëjnë ballë, sipas tij, ideve dhe interesave dashakeqe të partive maqedonase. Sela konsideron se duhet të gjendet gjuhë e përbashkët që në të ardhmen të ndalohet zbatimi i planeve, që përpos shqiptarëve, përfshijnë edhe etnitë e tjera. Çështje të cilat së fundmi kanë ngjallur debat janë shfuqizimi i balancuesit, mekanizëm ky i cili mundëson përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucione, shfuqizimi i neneve për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, si dhe propozim-ligji për të ashtuquajturit “Branitella”, me të cilin për pjesëtarët e forcave të mbrojtjes dhe sigurisë dhe familjet e tyre të ketë rritje të vlerës së kompensimit në bazë të shkallës së invaliditetit nga 1.200 euro maksimumi si vlerë mujore, në 82 mijë euro nëse shkalla e invaliditetit është 100 për qind.
 
MERAL ISMAILI