Ekspertët juridik: Përgjegjësi dhe dëmshpërblim për “Sopotin”
Rasti i Sopotit është një nga shumë rastet e montuara në Maqedoni dhe këtë e argumentuan përgjimet e djeshme të publikuara nga opozita, deklaroi njëri nga avokatët mbrojtës, në këtë rast Naser Raufi...

Ky rast ka filluar që në vitin 2003 dhe akoma ka ngecur i papërfunduar në lavirinthet e gjyqësorit. Raufi theksoi se për këtë rast asnjëherë nuk kanë ekzistuar dëshmi dhe se këtë e ka dëshmuar edhe Komisioni Anketues në Kuvend. Dëshmia e vetme që pretendoi prokuroria u tërhoq në stadiumin e hetimeve për shkak se ishte marrë nën presion dhe dhunë. Seanca e fundit për këtë rast do të mbahet më 5 maj të këtij viti, prej ku dhe pres lirimin e tyre si të pafajshëm, tha Raufi.
“Ky rast do të përfundojë më pesë maj, pasi është anuluar vetëm për fjalët përfunduese. Ne si avokat kemi kërkuar që gjykata të na japë që secili prej këtyre të akuzuarve sa burg dhe paraburgim kanë qëndruar, pasi janë në pyetje 11 të akuzuar, prej të cilëve katër janë në arrati dhe gjykohen pa prezencën e tyre. Në seancën që e kishim përpara, ne kërkuam që edhe vetë të akuzuarit t’i shohin dëshmitë dhe provat, në thonjëza, pasi në këtë rast nuk ka me të vërtetë as një dëshmi përveç si provë verbale e dëshmitarit, Ramadan Bajrami, që ka qenë i dhunuar, e të cilën deklaratë e tërhoqi menjëherë në stadiumin kur ka qenë në hetim. Kjo prej fillimit është demantuar dhe shpjeguar nga ana e tij se deklaratën e ka dhënë nën presion nga ana e MPB-së .Kjo u argumentua dhe u verifikua edhe në parlament dhe ishte arsye të përsëritet kjo lëndë dhe mendoj se tash për këtë proces duhet të jetë aktgjykimi që krejt këto të akuzuar të lirohen”- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Eksperti juridik, Bekim Kadriu, thotë se procesi gjyqësor ishte i dirigjuar nga politika ditore dhe realizohet për arritjen e qëllimeve të ngushta partiake. Por, tanimë kur gjithçka është e qartë se mungojnë provat, se 11 të akuzuarit nuk janë kryerës të veprës në fjalë, ata duhet të dëmshpërblehen, por njëkohësisht duhet bartur përgjegjësi edhe nga zyrtarët gjyqësorë.
“Në këtë rast, doemos të këtë në njërën anë përgjegjësi edhe të gjyqtarëve të cilët kanë vendosur një rast të tillë, që natyrisht duhet të shkojë ose në formën e dorëheqjes ose në formën e shkarkimit të tyre për shkak të kryerjes së punës pa ndërgjegje dhe në mënyrë joprofesionale, po ashtu nuk diskutohet e drejta e këtyre personave të dënuar të kompensohen. Sa është e mundur të kompensohet, pasi koha ka kaluar, pasi bëhet fjalë për vite të tëra që ata kanë qëndruar në burg pa arsye”- tha eksperti juridik, Bekim Kadriu.
Edhe avokati, Naser Raufi, theksoi nevojën e dëmshpërblimit të 11 sopotasve për qëndrim të pafajshëm për disa vite në burg.
“Të gjithë personat që janë të akuzuar, kemi kontakt dhe unë jam i sigurt që askush prej atyre nuk do të pajtohet që mos të marrë dëmshpërblimin, se është në pyetje jo vetëm një kohë e gjatë e burgut, por edhe shumë pasoja të tjera jo vetëm për këto të akuzuar, por edhe për familjet e tyre dhe për këta mendoj se nuk do të ketë pajtim dhe besoj se asnjë nga të akuzuarit nuk do të japë deklaratë që nuk do të kërkojë dëmshpërblim për këto trauma që kanë përjetuar dhe sot e sot i përjetojnë, pasi kjo lëndë nuk ka marrë fund”- theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Sulejman Sulejmani, Hasan Klaiqi, Samet Lutfiu, Shaban Limani, Shaqir Sulejmani, Bashkim Ukshini, Musa Klaiqi, Zenel Klaiqi, Selman Jahiu, Samet Limani dhe Afrim Ukshini janë 11 personat e akuzuar për rastin e Sopotit, të cilëve iu shqiptua dënim me 156 vite burg për shkak të incidentit që ndodhi në vitin 2003, me ç`rast nga shpërthimi i një mine në afërsi të fshatit Sopot të Kumanovës, afër kufirit me Serbinë, humbën jetën dy ushtarë polak të NATO-s dhe një civil.
Pesë prej tyre vuajtën disa vite burg në burgun e Idrizovës, ndërsa në mungesë u dënuan edhe 6 të tjerë. (Florije Kamberi, TVM2)
