Ekonomi
Gati propozimi për shportën vjeshtore, Durmishi: Marzhë e kufizuar në 10% për 100 produkte
18.09.2024 14:14
Çmimet nuk do të ngrijnë, por marzha bruto e fitimit të njëqind produkteve bazë ushqimore do të kufizohet në 10 për qind...
Çmimet nuk do të ngrijnë, por marzha bruto e fitimit të njëqind produkteve bazë ushqimore do të kufizohet në 10 për qind, paralajmëron ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi. Sipas tij, masa do të përfshijë bukën, produktet e bukës dhe të qumështit, frutat, perimet, etj. Kjo masë do të jetë afatshkurtër dhe e vlefshme për një muaj. Praktika e miratimit të tij do të vazhdojë edhe për Vitin e Ri, ndërsa shporta të ngjashme do të ketë edhe për festat në vijim.
“Bëhet fjalë për shportën vjeshtore të konsumatorëve që më së shumti kanë nevojë qytetarët për ushqimet apo produktet bazë. Nuk kemi të bëjmë me ngrirje të çmimeve, por për kufizim të marzhës së bruto fitimit në 10%.”, - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Ministri njofton se kjo masë do të diskutohet në seancë të Qeverisë javën e ardhshme.
LSDM: Mickoski, në vend të çmimeve, ngriu pagat
Nga LSDM-ja thonë se kjo masë është episodi i fundit i telenovelës së Qeverisë, i quajtur “Shporta e Vjeshtës”, e cila, sipas tyre, konfirmon se ekzekutivi nuk ka koncept dhe as dëshirë për të ulur çmimet e produkteve.
“Njoftimet se vendosja e disa masave për uljen e çmimeve do të vonohet edhe më shumë, tregon se Qeveria e Mickoskit nuk ka koncept ekonomik dhe nuk kujdeset për standardin e qytetarëve. Çmimet e ushqimeve po rriten në mënyrë të pakontrolluar dhe Qeveria duhet të kishte marrë masa reduktuese deri tani dhe të mos priste. Në vend të ngrirjes së çmimeve të produkteve, Qeveria e Mickoskit ngriu pagat, gjë që është krejtësisht e gabuar.”, thonë nga LSDM-ja.
Për LSDM-në këto politika të gabuara ekonomike të Mickoskit, do të çojnë në uljen e standardit të qytetarëve.
SANIJE DURAKU