Maqedoni

Mickoski e Mucunski drejt Brukselit, do ta përcjellin zhgënjimin e qytetarëve

18.09.2024 14:32

Qeveria e RMV-së mbetet e përkushtuar në rrugën eurointegruese të vendit dhe në të gjitha takimet...

Qeveria e RMV-së mbetet e përkushtuar në rrugën eurointegruese të vendit dhe në të gjitha takimet që do të realizojë delegacioni i RMV-së me përfaqësues evropian do t’i përcillet ky mesazh. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se në takimet që do të vijojnë në Bruksel, në mesin e atyre edhe me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen nuk do t’i prezantohet “propozim francez plus”, por do t’i përcillet vetëm zhgënjimi i qytetarëve, sa i përket kushteve që i janë imponuar RMV-së në rrugën eurointegruese.
 
“Nëse ka të bëjë me procesin e eurointegrimeve evropiane, unë jam ai që duhet të mbroj interesat kombëtare maqedonase. Ashtu si në të kaluarën, kur ishim opozitë, edhe tani si Qeveri kur kemi më shumë argumente, dëshirojmë të përcjellim atje zhgënjimin që ndjejnë qytetarët e Maqedonisë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski vlerësoi se një dekadë pas marrjes së raportit pozitiv, RMV-ja ende nuk e ka filluar procesin e negociatave, për shkak të pengesave artificiale që vazhdimisht janë imponuar. Pikërisht për këtë arsye, Mickoski planifikon në takimet që do të ketë në Bruksel të hapë çështjen e shmangies së biletarilizimit të kontesteve përmes institucioneve të BE-së.
 
“Pas një dekade, ne nuk mund të fillojmë negociatat, por jo, sepse nuk respektojmë kriteret e Kopenhagës, por sepse ka pengesa të imponuara artificialisht, të cilat nuk i ka pasur asnjë komb apo shtet gjatë procesit eurointegrues. Qytetarët të jenë të sigurt se do të luftojmë, dhe do të luftojmë dhe do të fitojmë betejën për interesat maqedonase. Nuk do të doja të komentoj para kohe, po pozicionet tona janë të qarta, mjaft ishin humbjet dhe mjaft diplomacisë së nënshtruar, tani kemi diplomaci dhe politika, e cila do të bazohet në rrugë dykahëshe.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Kryeministri Mickoski së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, gjatë ditës së mërkurë dhe të enjte do të qëndrojnë për vizitë dyditore në Bruksel, ku bashkërisht do të realizojnë takime me përfaqësues të lartë  evropian dhe do të bisedojnë rreth ndryshimeve kushtetuese, interpretimit ligjor të konkluzioneve të Këshillit të Evropës, në të cilën po theksohet se RMV-ja nuk do të mund të vazhdojë fazën e dytë të negociatave për anëtarësim pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese. 


REXHEP QAMILI