Maqedoni
Reformat në sistemin arsimor, Janevska: Nevojitet zgjidhje ligjore cilësore
18.09.2024 14:46
Kushtet aktuale në sistemin arsimor më shumë krijojnë sfida sesa zgjidhin probleme, pranoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska...

Kushtet aktuale në sistemin arsimor më shumë krijojnë sfida sesa zgjidhin probleme, pranoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, në fjalimin e konferencës “Sigurimi i qëndrueshmërisë së reformave për përmirësimin e sistemit arsimor”. Ajo thotë se do të përpilohen programe dhe tekste të reja për klasat e shtatë, tetë dhe të nëntë, si dhe për arsimin e mesëm, do të zgjerohet koncepti i arsimit të dyfishtë. Punohet gjithashtu edhe për zbatimin e mësimdhënies me një ndërrim dhe qëndrim më të gjatë në shkolla. Janë formuar grupet e punës për pesë zgjidhjet e reja ligjore.
“Për të gjitha këto ndryshime nevojitet rregullore ligjore cilësore dhe me këtë rast do t'ju kujtoj se tashmë kemi filluar një debat publik për ndryshimin e disa zgjidhjeve ligjore - për arsimin fillor dhe të mesëm, dhe ajo që është shumë me rëndësi për ne, arsimin e mesëm profesional, për arsimin e të rriturve dhe për kornizën kombëtare për kualifikime.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
BE: Përpjekje shtesë për të përmirësuar cilësinë
Bashkimi Evropian bën me dije se status quo-ja duhet të ndryshohet patjetër, sepse vendi duhet të përshtatë arsimin me trendet bashkëkohore, duke krijuar një mjedis të favorshëm për mësimdhënie dhe mësim.
“Rezultatet e provimit ndërkombëtar treguan se vendi duhet të bëjë përpjekje shtesë për të përmirësuar cilësinë e arsimit. Reformat e ardhshme që presim për rritjen e Ballkanit Perëndimor, presim miratimin dhe zbatimin e formulës së re për financimin e arsimit fillor dhe të mesëm, pastaj zhvillimin e aftësive digjitale të mësuesve, orientimin në zgjedhjen e karrierës në shkolla, si dhe zhvillimin e arsimit të dyfishtë.”, - theksoi delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut, Aleksandru Albu.
Konferenca organizohet në kuadër të projektit të financuar nga BE-ja "Rritja e atraktivitetit, gjithëpërfshirjes dhe rëndësisë së arsimit dhe aftësimit profesional dhe arsimit të të rriturve", në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ndërkohë që flitet për reforma, mësuesit kërkojnë një premtim për rritjen e pagave me 12 për qind. Ndërkohë, kryeministri Mickoski njoftoi se mbi 18 milionë euro do të përdoren për rindërtimin e konvikteve studentore, jo vetëm në Shkup, por edhe në qytete të tjera ku ka kampuse universitare.
FARIJE DAUTI BAKIJU
