Maqedoni

Koalicioni "Të gjithë për një gjykim të drejtë", prezantohet plani për përmirësimin e gjyqësorit

18.09.2024 15:05

Situata në gjyqësor është alarmante. Duhet të ndërmerren shumë masa dhe aktivitete për përmirësimin e kësaj gjendjeje...

Situata në gjyqësor është alarmante. Duhet të ndërmerren shumë masa dhe aktivitete për përmirësimin e kësaj gjendjeje, potencojnë gjyqtarët dhe prokurorët. Sa i përket Prokurorisë Publike, besimi i qytetarëve në këtë institucion është rritur krahasuar me sistemin gjyqësor, por megjithatë nevojiten reforma në çdo sferë të gjyqësisë.
 
“E tërë fotografia tregon nevojën për marrjen urgjente të masave. Kjo pasqyrë kontribuon për demotivim dhe apati. Nevojiten reforma në çdo aspekt dhe çdoherë të merret parasysh se para gjykatave mbrohen të drejtat dhe liritë e qytetarëve.”, - deklaroi kryetarja në Gjykatën Supreme, Besa Ademi.
 
“Për Prokurorinë Publike si institucion është tejet i rëndësishëm adresimi i çështjeve për kyçjen më të madhe të prokurorëve publik në proceset e ndryshimeve ligjore. Po ashtu, edhe adresimi i problemit akut me mungesën e  resurseve njerëzore në Prokuroritë Publike dhe gjyqësinë në përgjithësi janë të rëndësishme. Këto aspekte janë të rëndësishme për rritjen e efikasitetit dhe përforcimin e rolit të institucioneve gjyqësore.”, - theksoi prokurorja publike, Anita Topallova Isajllovska.  
 
Nga koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” u prezantuan rekomandime dhe plan i veprimit për përmirësimin e gjendjes aktuale në gjyqësor. Ky projekt është përkrahur nga Ambasada e ShBA-së.
 
“Një numër i madh i rekomandimeve kanë të bëjnë me ndryshimin e praktikave të veprimit të gjykatësve dhe prokurorëve publik, ndryshimin e mënyrave të udhëheqjes së seancave kryesore, ndryshime në mënyrën e shkrimit dhe kumtimit të aktakuzave dhe fajësisë.”, - u shpreh Darko Avramovski nga koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
 
“Një prej mënyrave më të thjeshta, që sërish të rikthehet besimi, është që proceset gjyqësore të jenë transparente dhe të besueshme. Të gjithë ju që jeni këtu duhet të fokusoheni në këtë pikë që sot të kemi plan se si të veprojmë në vend të një dokumenti që do të nënshkruhet dhe do të arkivohet.”, - theksoi ambasadorja e ShBA-së në RMV, Angella Ageler. 
 
Projekti i koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë” do të zgjasë një vit dhe në të janë inkorporuar aktivitete, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në sistemin gjyqësor. 
 
FLUTURA LATIFI