Botë

Ndasi politike rreth hapjes së Urës së Ibrit, Sveçla: Do të hapet shumë shpejt

18.09.2024 15:28

Ura e Ibrit do të hapet shumë shpejtë, paralajmëron ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla...

Ura e Ibrit do të hapet shumë shpejtë, paralajmëron ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili po qëndron në Gjermani në kuadër të Procesit të Berlinit. Sipas tij, kjo do të ndodhë pas koordinimit me KFOR-in dhe bisedave në Bruksel.
 
“Unë jam i bindur se pas bisedimeve dhe koordinimit me KFOR-in, që është prezent aty, por edhe bisedave në Bruksel, shumë shpejt do të kemi një situatë tjetër.”, ka thënë Sveçla.
 
Bislimi: Duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese
 
Çështja e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë u diskutua edhe në takimet e ndara në Bruksel të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak. Nga Qeveria e Kosovës kanë njoftuar se Bislimi në takim ka theksuar se sipas raporteve të Komisionit Evropian që nga viti 2014, ura duhet të hapet pa vonesa të mëtejme.
 
“Ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit.”, ka deklaruar Bislimi.
 
Osmani: Bisedimet për urën, shkelje e sovranitetit
 
Ndërsa presidentja, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nëse dikush bën dialog me Serbinë për Urën e Ibrit, e shkel sovranitetin dhe Kushtetutën e Kosovës.                                                                                  
 
“Nëse dikush bën dialog për Urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit, Kushtetutës së Kosovës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës, që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. 
 
Sipas Osmanit, tema e Urës së Ibrit duhet të dialogohet me partnerët e sigurisë së Kosovës, pasi edhe vetë marrëveshjet e Brukselit e kërkojnë një gjë të tillë.
 
GYLTENE SINANI