Gjykata Kushtetuese, “Balancuesi” ndërpritet deri në një vendim përfundimtar, hapet procedurë për mekanizmin e “Balancuesit”

18.09.2024 16:00

Gjykata Kushtetuese me masë të përkohshme ka ndërprerë...

Gjykata Kushtetuese me masë të përkohshme ka ndërprerë implementimin e dispozitave dhe akteve ligjore, që kanë të bëjnë me mekanizmin e “balancuesit” deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës.

Një masë e tillë erdhi pas shqyrtimit të akteve kontestuese, ku Gjykata Kushtetuese ka vendosur të hapë procedurë për kushtetueshmërinë e disa dispozitave të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, Ligjit për nëpunësit administrativ, si dhe Rregulloren për elementet e detyrueshme të shpalljes publike për plotësimin e një pozicioni në sektorin publik, që i referohet “përkatësisë në një komunitet” si pika kontestuese të iniciuara nga ish-përbërja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Veç kësaj, Gjykata Kushtetuese vendosi të ngritë iniciativa edhe për dispozita të tjera të këtyre ligjeve dhe akteve nënligjore, që kanë të bëjnë me punësimet.

“Në këtë fazë, Gjykata Kushtetuese shpreh dyshimin se po rrezikohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të cilat janë të pranuara në të drejtën ndërkombëtare dhe të inkorporuara në Kushtetutën tonë, pastaj liria e shprehjes së përkatësisë etnike, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i qytetarëve, që janë pjesë e bashkësive në organet e pushtetit shtetëror në institucionet e tjera në të gjitha nivelet.”, - theksoi zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Kristina Bellovska.

Këtij vendimi i parapriu debat i gjerë mes gjykatësve kushtetues me argumente “pro” dhe “kundër” anulimit të tij.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, theksoi se ky mekanizëm është në kundërshtim me parimin e barazisë dhe shkelin liritë dhe të drejtat e njeriut.

Sipas tij, masa të tilla duhen të jenë të përkohshme dhe të ndërpriten në momentin kur ta kenë përmbushur qëllimin për çka është miratuar.

Sipas tij, humbja e besimit të qytetarëve në institucione publike dhe shtetërore ka për bazë pikërisht implementimin e këtij mekanizmi, që nuk është bazuar në sistemin e meritës.

Në kundërshtimin e tij, gjykatësi Osman Kadriu theksoi se mekanizmi i “balancuesit” është çështje e ndjeshme e natyrës etnike dhe është në pajtueshmëri me amendamentin 6 të Kushtetutës si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit.

Qëndrim të njëjtë kishte edhe gjykatësi, Naser Ajdari, sipas të cilit përfaqësimi i drejtë si vlerë themelore e Kushtetutës nuk guxon të cenohet. (Florije Kamberi, TVM2)