Përmbytje në Evropën Qendrore, beteja me përmbytjet edhe në Austri
Po numërohen viktimat e përmbytjeve të paprecedentë në Evropën Qendrore...

Po numërohen viktimat e përmbytjeve të paprecedentë në Evropën Qendrore, ndërsa ka edhe persona të zhdukur. Dhjetëra rajone dhe mijëra banorë janë evakuuar në tre shtete.
Pamja pas valës së përmbytjeve të shkaktuar nga stuhia “Boris” është e tmerrshme, sirenat e ambulancës dhe kërcitjet e motorëve të helikopterit dominojnë zonat e prekura.
“Gjithçka është shkatërruar plotësisht, si dhe paratë që kishim për riparimet dhe tani nuk kemi asgjë.”, - tha një banor i Polonisë.
“Po, jam e tmerruar!”, - tha një banore e Polonisë.
Beteja me përmbytjet nuk pati të ndalur mbrëmë edhe në Austri. Në provincën e Austrisë së Poshtme, lartësia e ujit në rritje i ka kaluar dy metra. Edhe aty u regjistrua një bilanc tragjik.
“Fatkeqësisht shënojmë viktimën e pestë, një grua 81-vjeçare nga zona e Tulinit. Zjarrfikësit gjetën trupin e pajetë në shtëpinë e përmbytur.”, - u shpreh polici në Austri, Johan Baumshllager.
Edhe në Hungari janë duke pritur stuhinë e shiut, disa nga digat dhe rezervuarët po hapen për të shkarkuar ujin.
“Kjo është situata më e vështirë në Hungari deri më tani, jo aq në Danub se sa në degën Lejda. Nuk mund ta kontrollojmë përmbytjen me lartësinë aktuale të digës, ndaj ekspertët na kanë rekomanduar hapjen e përkohshme të rezervuarit. Për këtë na është dashur të zvogëlojmë një pjesë të digës.”, - deklaroi kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Vetëm pak javë më parë, Evropa Qendrore vuante nga thatësira, valët e të nxehtit dhe zjarret. Klimatologët kanë paralajmëruar për mot të rrëmbyeshëm prej vitesh për shkak të ngrohjes së planetit.
Një rritje e temperaturës me një gradë Celsius rrit lagështinë e ajrit me shtatë për qind. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
