Tiranë, iniciativa ShBA - Karta e Adriatikut, Begaj kërkoi anëtarësimin e Kosovës në këtë forum
Begaj e Vëngu kërkuan anëtarësimin e Kosovës në këtë forum....

“Investoni në fushën e sigurisë, në kushtet kur bota po përballet me një moment delikat gjeopolitik.”. Me këtë mesazh, presidenti Bajram Begaj, në cilësinë edhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura iu drejtua panelit në konferencën e 27-të të Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës ShBA - Karta e Adriatikut.
“Zhvillimet e fundit tregojnë se sa i rëndësishëm është investimi në fushën e sigurisë dhe me sa rëndësi është krijimi i platformave të bashkëpunimit e ndërveprimit që promovojnë sigurinë rajonale, duke krijuar kushtet për një mjedis më të qëndrueshëm dhe të sigurt.”, - deklaroi presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, bëri thirrje që rajoni të tregohet i kujdesshëm ndaj ndikimit të huaj, që synon destabilizim.
“E rëndësishme është të mos bien pre e palëve të treta që marrin ndërveprime destabilizuese.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu.
Begaj e Vëngu kërkuan anëtarësimin e Kosovës në këtë forum.
“Anëtarësimi i Kosovës në këtë Kartë është thelbësor, jo vetëm për sigurinë e Kosovës, por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit. Kosova, ndonëse është shtet i ri, ka treguar përkushtim ndaj paqes dhe bashkëpunimit dhe përbën një faktor kontribuues për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.”, - u shpreh presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
“Kosova e ka vendin në këtë tavolinë!”, - theksoi ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu.
Në punimet e ditës së sotme të konferencës morën pjesë vendet nënshkruese të kartës A-5: ShBA-ja, Shqipëria, Bosnjë-Herzegovina, Kroacia, Mal i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa në statusin e vëzhguesit janë të pranishëm edhe përfaqësues nga Kosova. (Luljeta Ndoka, TVM2)
