Liban, rritet numri i viktimave nga shpërthimi i pejxherëve
Numri i të vdekurve nga shpërthimi i pajisjeve të komunikimit...

Numri i të vdekurve nga shpërthimi i pajisjeve të komunikimit në një pjesë të Libanit dhe Sirisë po rritet.
Mes viktimave është edhe një ambasador iranian. Hezbollahu dhe Teherani drejtuan gishtin drejt Izraelit. Ata premtuan një hakmarrje të drejtë.
“Është e qartë se të plagosurit janë nga zona të ndryshme, sepse kanë mbërritur në spitalet në Dahijeh dhe Bejrut, por edhe në jug, veçanërisht në zonat Tire dhe Beka.”, - deklaroi ministri i Përkohshëm i Shëndetësisë i Libanit, Firas Abiad.
“Merre ose humbe” ka qenë mesazhi që ka mbërritur në pejxherë, pas së cilës kanë shpërthyer. Mediat botërore raportojnë se pas operacionit i cili ishte përgatitur për muaj të tërë qëndron Mosadi izraelit.
Kreu i Hezbollahut, Nasrallah, ka paralajmëruar një fjalim për nesër në mesditë.
Tel Avivi është i heshtur për momentin. ShBA-ja mohon përfshirjen, ndërsa i kërkoi Iranit të mos e përdorë incidentin si pretekst për një luftë më të gjerë.
“Shtetet e Bashkuara nuk ishin përfshirë apo njoftuar paraprakisht për këtë incident. Ne jemi ende duke mbledhur informacion. Nuk dua të flas se cilat mund të jenë implikimet përpara se raporti të konfirmohet, por sigurisht që do t'i kërkonim Iranit që të mos përfitojë nga ky incident për të destabilizuar dhe përshkallëzuar më tej tensionet.”, - theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.
Kompania tajvaneze, marka e së cilës u përdor në sulmin e koordinuar, gjithashtu u distancua nga incidenti. Pretendimet janë bërë nga një i licencuar evropian.
“Kemi bashkëpunim agjencie dhe kontratë. Ata donin të bënin pejxherë dhe më pyetën nëse mund të përdornin emrin e markës sonë për të cilën po na paguanin një tarifë. Ata e projektuan vetë, produktet e zbuluara në shpërthim nuk janë tonat.”, - deklaroi presidenti i kompanisë “Gold Apollo”, Su Ching-Kuan.
Kreu i diplomacisë evropiane Borrell paralajmëroi se çdo ditë që kalon pa një marrëveshje armëpushimi rrezikon të kthehet në një luftë rajonale.
“Nuk mund të parashikoj se çfarë mund të ndodhë në ditët apo javët në vijim, por të gjithë aktorët e përfshirë duhet të vazhdojnë t'i bëjnë presion të dyja palëve për të arritur këtë marrëveshje, sepse ekziston me të vërtetë një mundësi që lufta të përhapet jo vetëm në Liban, por edhe në Detin e Kuq.”, - u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, është në Kajro me autoritetet egjiptiane, në një tjetër përpjekje për të zbatuar marrëveshjen e armëpushimit të Gazës. (Ersan Pajaziti, TVM2)
