Shfuqizimi i “Balancuesit”, VLEN dhe FRONTI EUROPIAN me akuza ndaj njëra tjetrës
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e “balancuesit”....

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e “balancuesit” gjatë punësimeve në sektorin publik, vendim i cili do të vlejë deri në vendimin përfundimtar, kanë reaguar nga “Fronti Europian” dhe koalicioni VLEN-i.
“Urime Taravarit! Shfuqizohet Balansuesi, nuk ka më punësime për shqiptarët”, është reagimi i Aleancës për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës.
“Vendimi i sotëm për ndërprerjen e ‘Balansuesit’ është goditje për një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Prej sot e tutje, nuk do të ketë më vende të garantuara për punësim dhe emërime në pozicione udhëheqëse të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera jo shumicë. Urojmë zotëri Arben Taravarin për ‘fitoren’ e tij të madhe kundër shqiptarëve dhe servilizmin ndaj kësaj Qeverie antishqiptare”, - thuhet në komunikatën e ASH-së, krahu i Ziadin Selës.
Edhe koalicioni “VLEN” reagon ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për fillimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ngrirjes së të ashtuquajturit balancues.
Nga “VLEN” thonë se ky vendim është frymëzuar nga nevoja e dukshme e strukturave kriminale të pushtetit të kaluar për të krijuar problem ndëretnik dhe për të destabilizuar marrëdhëniet e brendshme në shtet.
“Duam ta njoftojmë opinionin se të gjithë gjykatësit, pa përjashtim ose çfarëdo përkatësie, janë zgjedhur me votat e BDI-së në mandatet e mëparshme. BDI-ja ka mbështetur të gjithë ata që kanë nisur procedurat kundër të ashtuquajturit balancues. ‘VLEN’ tashmë po punon për zgjidhjen e problemit të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në institucione, por në mënyrë adekuate të sistemuar dhe të kodifikuar. Kujtojmë se parimi i përfaqësimit të barabartë dhe të drejtë është i garantuar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nuk mund të kontestohet apo anulohet as nga Gjykata Kushtetuese” - thuhet ne reagimin e koalicionit “VLEN”.
