Fushatë për ruajtjen e ambientit “Le të jetë pastër! Së bashku për Çairin”
Me moton “Le të jetë pastër, së bashku për Çairin”, në këtë komunë ka filluar fushata për ruajtjen e ambientit...

Pjesë e kësaj fushate, krahas Komunës së Çairit, janë edhe BFI, sektori civil, përfaqësues institucionesh dhe personalitete të jetës kulturore dhe sportive në Çair, ndërsa e njëjta ka për qëllim përmirësimin dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për higjienën dhe mbajtjen e pastërtisë në këtë komunë. Me këtë rast, Mexhiti apeloi deri te qytetarët e komunës që të kontribuojnë edhe ata në mirëmbajtjen e pastërtisë dhe të kujdesen për ambientin ku jetojmë dhe veprojmë.
“Motoja kryesore ‘të punojmë së bashku me të gjitha forcat për një Çair më të pastër’, pra me këtë potencojmë dhe vëmë në dukje që gjelbërimin, pastërtinë e vëmë në prioritetet e Komunës së Çairit. Po ashtu, duhet ta potencoj që Çairi është komuna më e dendur në Republikën e Maqedonisë, nga vetëm 3.4 kilometër katror ka afër 70 mijë banorë dhe kjo dendësi e popullatës herë pas here krijon edhe telashe, krijon edhe telashe më të mëdha për ‘Higjienën komunale’”- deklaroi kryetari i Komunës Çair, Izet Mexhiti.
Institucionet do të vazhdojnë të veprojnë edhe më fuqishëm sa i përket ekologjisë, thotë Mexhiti, i cili në këtë drejtim kërkoi edhe përkrahjen e qytetarëve dhe sektorit civil. Edhe nga Myftinia e Shkupit vlerësojnë se kjo iniciativë është shumë e rëndësishme për të gjithë banorët e Çairit.
“Ngel që ne si qytetarë dhe të gjitha institucionet tjera ta përkrahim këtë si iniciativë, është iniciativë e vlefshme dhe e rëndësishme për të gjithë ne si qytetarë për atë që e dimë se shumica e banorëve të Komunës së Çairit jemi edhe të konfesionit mysliman, feja Islame është e pastër dhe do pastërti”- tha myftinia e Shkupit, Ibrahim Shabani.
Drejtor i “Higjienës komunale”, Ragip Doçi, dhe përfaqësuesi nga Shoqata “Duam Çair të pastër”, Xhelal Ramadani, thanë se ne asnjëherë nuk do të mund të arrijmë të kemi Çair të pastër pa partneritet me qytetarët.
"Sipas standardeve botërore, çdo qytetarë dhe çdo individ prodhon prej 0.7 deri 1 kilogram mbeturina në ditë dhe varësisht se si do t’i trajtojmë këtë sasi të mbeturinave, aq do të kemi ambient të pastër, ambient të shëndetshëm. Le të jetë pastër së bashku për Çairin”- theksoi drejtori i “Higjienës komunale”, Rakip Doçi.
“Ne si qytetarë, posaçërisht që duam Çair të pastër, bash këtë e kërkojmë, e kërkojmë që të ketë Çair të pastër me kuptimin e plotë të fjalës, d.m.th. jo vetëm për ndonjë bërllok në rrugë, por të mos ketë edhe gjëra të tjera që i pengojnë qytetarët duke ecur për rruge”- u shpreh Xhelal Ramadani nga “Duam Çair të pastër”.
Aksioni bazohet në angazhimin direkt të të gjithë banorëve të Çairit për realizimin e qëllimit për një ambient sa më të pastër, u tha me këtë rast. (Gyltene Sinani, TVM2)
