Botë

Shpërthejnë sërish pejxherët në Liban, 20 të vrarë dhe mbi 450 të plagosur

19.09.2024 14:44

Të paktën 20 persona janë vrarë dhe më shumë se 450 janë plagosur nga një valë e dytë e shpërthimeve nga pajisjet e komunikimit me valë në Liban....

Të paktën 20 persona janë vrarë dhe më shumë se 450 janë plagosur nga një valë e dytë e shpërthimeve nga pajisjet e komunikimit me valë në Liban. Lajmi është bërë me dije nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa ky sulm vjen pas shpërthimit të mijëra pejxherëve ditë më parë, sulm i cili u mori jetën 12 personave dhe plagosi 3 mijë të tjerë. Pajisjet e përdorura nga grupi i armatosur Hezbollah shpërthyen në periferitë jugore të kryeqytetit Bejrut, Luginën Bekaa dhe Libanin jugor – zona që shihen si bastionet e tij. Disa nga shpërthimet ndodhën gjatë funeralit të 12 viktimave të sulmit të parë. Hezbollahu fajësoi Izraelin për sulmin. 
 
“Të gjithë janë të rinj, ndoshta nga 20 deri në 40 vjeç dhe lëndimet ishin shumë të rënda. Mendova se diçka e tillë ndodh vetëm në filma aksion. Është hera e parë që shoh këto lloj lëndimesh dhe një fatkeqësi të tillë.”, - tha infermierja kryesore, Grasia Dona.
 
"Kjo është dita më e keqe e jetës sime si mjek. Më shumë se 60 deri në 70 për qind e pacientëve përfunduan me heqjen e të paktën njërit sy, nëse mund të shpëtoni njërin sy - kjo është arritje e madhe. Dëmtimi nuk është i kufizuar vetëm në sy - disa prej tyre kanë pasur dëmtime intrakraniale, përveç dëmtimit të fytyrës, qoftë për hundë, për gojë, për veshët dhe për fat të keq kanë humbur të paktën një nga gjymtyrët e tyre.", - theksoi profesori në kirurgjinë e syve, Elias Uarrak.
 
"Të gjithë kanë të njëjtën traumë, të gjithë kanë të njëjtat amputime dhe një gjë të tillë nuk kemi parë kurrë më parë. Shpërthimi dhe dëmi është kaq i madh, jemi të habitur. Nuk e di se si, ky pejxher kaq i vogël, mund të shkaktojë gjithë këtë dëm të madh.”, - u shpreh kirurgu, Gabi Hajkel.
 
“Shpresojmë që shumë shpejt të kemi paqe. Gjithçka që kërkojmë është paqe. Për 50 vjet, ne kemi ëndërruar për paqen që nuk e patëm kurrë.”, - tha një kirurg.
 
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi për “rrezikun serioz të një përshkallëzimi dramatik” dhe u bëri thirrje të gjitha palëve “të ushtrojnë përmbajtje maksimale”.
 
“Natyrisht, logjika për të bërë të gjitha këto pajisje të shpërthejnë është ta bësh atë si një sulm parandalues përpara një operacioni të madh ushtarak. Ngjarja konfirmon se ekziston një rrezik serioz i një përshkallëzimi dramatik në Liban dhe gjithçka duhet bërë për të shmangur përshkallëzimin.”, - deklaroi sekretari i përgjithshëm, Antonio Guterres.
 
Sulmet erdhën pasi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Gallant, njoftoi një “fazë të re në luftë” dhe pasi një divizion i ushtrisë izraelite u zhvendos në veri.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU