Maqedoni

“Balancuesi”, Sela: Kushtetuesja zbatoi planin politik

19.09.2024 15:21

Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, sa i përket mekanizmit të “balancuesit”, është zbatim i planit politik të kësaj qeverisjeje..

Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese, sa i përket mekanizmit të “balancuesit”, është zbatim i planit politik të kësaj qeverisjeje, e cila po mundohet të implementojë politika majorizuese. Kështu vlerëson Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët. Ai këtë vendim e cilëson si një goditje për një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Nga atje thonë se pas shfuqizimit të “balancuesit”, nuk do të ketë më punësime për shqiptarët. Sipas tij, kjo gjendje nuk kontribuon në ndërtimin e kohezionit të brendshëm ndërmjet bashkësive etnike dhe nuk i jep kontribut paqes, por përkundrazi krijon situate pasigurie, frike dhe destabilizim tek qytetarët. Shqetësuese është që në të ardhmen nuk ka mekanizëm që i obligon apo pengon një padrejtësi të tillë të përfaqësimit.
 
“Heqja dhe vendimi i djeshëm ose vendosja në qetësi e një të drejte, e cila mban vulën e një marrëveshjeje, e cila është implementuar në Kushtetutë, një Marrëveshje e cila është e garantuar edhe nga faktori ndërkombëtar, natyrisht se për ne si Aleancë për Shqiptarët përbën shqetësim. Kuptohet që kjo duhet t’i shqetësojë të gjithë qytetarët, për shkak se nuk është vendim vetëm i Gjykatës Kushtetuese, por është paralajmërim politik i kryeministrit të tanishëm, i cili para më shumë se 2 vitesh kur diskutohej për temën e ndryshimeve kushtetuese dhe kur u hap tema e ndryshimit të 20% në gjuhën shqipe, ai që atëherë ka paralajmëruar që të hiqet “balancuesi”, të hiqet badenteri.”, -  deklaroi kryetari i ASh-së, krahu i Selës, Ziadin Sela.
 
Ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin mekanizmi i “balancuesit” vihet në pezullim ka reaguar edhe VLEN-i. Këtë veprim ata e cilësojnë të frymëzuar nga nevoja e siç thonë ata, strukturave kriminale të pushtetit të kaluar për të krijuar probleme ndëretnike dhe për të destabilizuar marrëdhëniet e brendshme në shtet. Nga VLEN-i nënvizojnë se vendimi i gjykatës nuk do të ndryshojë asgjë për të drejtat e shqiptarëve dhe se VLEN-i po përgatit zgjidhje ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
 
FLORIJE KAMBERI