Korrupsioni, VLEN: Të lokalizohet përgjegjësia e lotarisë
Koalicioni VLEN fton Prokurorinë të zbardhë skemat e korrupsionit...
Koalicioni VLEN fton Prokurorinë të zbardhë skemat e korrupsionit në lotarinë shtetërore pas anulimit të kontratës me kompaninë “HEJ DOOEL” për shfrytëzimin e hapësirave të lotarisë.
Nga VLEN-i konsiderojnë se i hapet rruga përgjegjësisë së gjithë atyre që përfituan nga këto skema dhe shkatërrimit të perandorisë së bixhozit nga ish-pushteti.
“Ne jemi të bindur se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Për çdo hap të bërë drejt shkatërrimit të kësaj perandorie të ndërtuar mbi bixhoz dhe korrupsion, organeve të rendit dhe prokurorisë u është hapur dera për të vënë përpara drejtësisë ata që e kanë ndërtuar këtë skemë.”, thuhet në komunikatën e koalicionit VLEN.
VMRO: Nikollovski ka shpërdorur buxhetin
Kryeministri Hristijan Mickoski, ditë më parë deklaroi se ekziston bazë për ngritjen e procedurës penale për marrëveshjen për qiradhënie, midis lotarisë dhe kompanisë në Vizbeg, në vlerë mbi 2.5 milionë euro, trefish më e lartë se sa çmimet në treg. Nga VMRO-DPMNE-ja kanë akuzuar edhe ish-ministrin e Bujqësisë, Lupço Nikollovski, se gjatë ushtrimit të funksionit ka shpenzuar afër 1 milion denarë në kafene dhe restorante.
“Në vitin e parë si ministër, Nikollovski ka shpenzuar 294 mijë e 780 denarë nëpër restorante dhe kafene, ndërkaq në vitin e fundit, parazgjedhor 2023 ka shpenzuar gjithsej 377 mijë e 700 denarë. Nikollovski është sjellë si Bisera Antoaneta, ka shpenzuar para të qytetarëve, ndërkaq nga ana tjetër pafytyrësisht ka folur se punon për popull.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski.
VMRO-DPMNE-ja në pushtet drejton akuza për keqpërdorim të parave në kompaninë energjetike “MEPSO”, gjegjësisht në pjesën e dhënies së donacioneve. Sipas partisë së Mickoskit, për vitin 2024, si donacione dhe sponsorime, “MEPSO-ja” ka parashikuar 12 milionë e 300 mijë denarë, ndërkaq ka shpenzuar 22 milionë e 712 mijë e 500 denarë. (Meral Ismaili, TVM2)