Botë

Presidentja e KE-së në Kiev diskuton mbështetjen për Ukrainën

20.09.2024 11:35

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po zhvillon vizitë në kryeqytetin ukrainas, Kiev...

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, po zhvillon vizitë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, për të diskutuar mbështetjen e Evropës, përgatitjet për dimër, mbrojtjen dhe përparimin, sa i përket kredive të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7).

“Vizita ime e tetë në Kiev vjen në kohën kur nis sezoni i ngrohjes, dhe Rusia vazhdon të shënjestrojë infrastrukturën e energjisë të Ukrainës.”, shkroi në X von der Lejen. 
 
Një ditë më herët, ajo tha se 160 milionë euro nga asetet e ngrira ruse do të alokohen për të përmbushur kërkesat urgjente humanitare të Ukrainës gjatë këtij dimri. Rusia ka shkatërruar rreth 9 gigavatë të infrastrukturës së energjisë të Ukrainës, që Von der Lejen tha se janë “fuqi e barasvlershme e tri shteteve baltike”. 
 
Gjatë vizitës në Ukrainë, udhëheqësja evropiane do të takohet me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski dhe me zyrtarë të tjerë. Vizita e saj e tetë në Ukrainë po zhvillohet teksa forcat ukrainase që nga gushti po kryejnë një ofensivë në rajonin rus të Kurskut dhe forcat ruse po vazhdojnë ofensivën e tyre në lindje të Ukrainës.