Maqedoni

Filloi gjykimi për vrasjen e Vanjës, Prokuroria: Pallço vrau 14-vjeçaren, Vanja

20.09.2024 13:58

I akuzuari Lupço Pallevski - Pallço vrau 14-vjeçaren, Vanja Gjorgjievska dhe 74-vjeçarin, Pançe Zhezhovski...

I akuzuari Lupço Pallevski - Pallço vrau 14-vjeçaren, Vanja Gjorgjievska dhe 74-vjeçarin, Pançe Zhezhovski, duke i qëlluar ata drejtpërsëdrejti në kokë.  Këto ishin fjalët hyrëse të prokurores, Zhakllina Kërstevska – Josifovska, në seancën e parë gjyqësore për këtë rast. Duke e lexuar aktakuzën e ngritur kundër pesë të dyshuarve, në mesin e të cilëve, përveç Pallços, janë edhe Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vllatko Keshishev, prokurorja sqaroi se ata një kohë të gjatë përgatiteshin për t’i kryer këto vrasje, ndërsa Aleksandar Gjorgjievski, babai i Vanjës i ka ndihmuar për ta rrëmbyer atë. Sapo babai i Vanjës i ka informuar për vendndodhjen e vajzës së tij, të akuzuarit e kishin rrëmbyer Vanjën, duke ecur vetë në këmbë në drejtim të shkollës. Sipas informacioneve të Prokurorisë, qëllimi i rrëmbimit të saj fillimisht ka qenë zhvatja.
 
Mbrojtja thotë se babai i Vanjës është viktimë
 
Të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm për veprën penale vrasje, që u ngarkohet atyre. Avokati i Aleksandar Gjorgievskit, Vladimir Tufegxhiq, vlerëson se babai i së ndjerës, në këtë rast është viktimë dhe i dëmtuar. Adreson disa lëshime gjatë procedurës hetimore dhe grumbullimit të provave. 
 
“Unë i qëndroj asaj se Aleksandri është viktimë, ai është i dëmtuar në këtë procedurë gjyqësore. Dëshmoj se çdo prind, të cilit do t’i ndodhte kjo gjë, do t’i ndërmerrte të gjitha veprimet, që edhe Aleksandri i ka ndërmarrë, respektivisht do të kishte filluar pra, të shkonte në drejtim të kryerjes së hetimeve të tij vetanake. Në fund të fundit, ju jeni dëshmitarë se aktakuza e ngritur po bazohet në provat që i ka siguruar vetë Aleksandari edhe atë me leje dhe pajtim të shërbimeve policore, ku edhe unë si avokat mbrojtës kërkoj që të merren në pyetje dhe të shohim si dhe në çfarë mënyre e kanë zhvilluar procedurën. Në bazë të aktakuzës së ngritur dhe në çfarë bazohet shkenca e veprimtarisë kriminaliste, ju garantoj se kјо procedurë nuk është zhvilluar ashtu siç duhet.”, - deklaroi avokati i Aleksandar Gjorgjievskit, Vlladimir Tufegxhiq.
 
Në këtë kontekst, edhe i akuzuari i parë, Lupço Palevski – Pallço, duke u deklaruar se është i pafajshëm, vlerësoi se ky është rast i montuar politik ndaj tij dhe njëherit tha se nuk e njeh personalisht babain e Vanjës, ndërsa lidhjen mes tyre e ka inskenuar policia. Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për më 7 tetor, në të cilën do të duhet të dëshmojë e ëma e së ndjerës Vanja, Zorica Gjorgjievska. 
 
REXHEP QAMILI