Maqedoni
Eurointegrimi, Mickoski: Procesi meritor, jo me konteste
20.09.2024 15:23
Maqedonia e Veriut s’do të pranojë ultimatume në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian...

Maqedonia e Veriut s’do të pranojë ultimatume në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, deklaron kryeministri, Hristijan Mickoski, pas përmbylljes së vizitës në Bruksel. Sipas Mickoskit, procesi i anëtarësimit do të duhet të vijojë sipas parimeve dhe sistemit meritor, e jo standardeve të dyfishta dhe kontesteve bilaterale.
“Dua që këto qytetarë dhe atdheu im të jenë pjesë e asaj familje në bazë të sistemit të meritokracisë, e jo në bazë të turpeve shtesë kombëtare dhe përjashtime identitare. Këtë s’do ta lejojmë! Nëse ata me të vërtetë duan të përparojmë në bazë të sistemit meritor, atëherë bisedimet do t’i nisim që nesër. Ne nuk kemi çfarë të bëjmë, ne duhet të luftojmë për qëndrimin tonë, për pozicionin tonë dhe bashkëbiseduesve të mi u thash se nuk mundemi që të dalim para qytetarëve dhe mbrojmë standardet e dyfishta.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mishel: RMV-ja të zbatojë marrëveshjet
Kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel, ftoi Maqedoninë e Veriut të zbatojë marrëveshjet dhe vazhdojë reformat. Qëndrimi i Mishelit erdhi pas takimit të djeshëm me kryeministrin Mickoski, të mbyllur për opinionin.
“Përgëzova Maqedoninë Veriut për orientimin gjeostrategjik, anëtarësimin në BE. Sot Maqedonia e Veriut ka mundësi të vërtetë të përparojë në rrugën drejt BE-së dhe të bëhet pjesë e familjes sonë. Tani është kyçe të zbatojë angazhimet e marra, të respektojë marrëveshjet e detyrueshme ligjore dhe me vendosmëri të vazhdohet reformat.”, ka shkruar Mishelli në rrjete sociale.
Ndryshimet kushtetuese me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë është parakusht për hapjen e kapitujve në bisedimet me BE-në. Mosmbyllja e kësaj çështje ka ngecur në Kuvend, në mungesë të dy të tretave të votave. Nëse vendi nuk përmbush këtë kusht, rrezikon shkëputjen nga Shqipëria në rrugën drejt BE-së.
MERAL ISMAILI
