Fatkeqësi hekurudhore në afërsi të Velesit, 14 emigrantë humbin jetën
Aksident tragjik ka ndodhur mbrëmë në hekurudhën në Veles, me ç’rast 14 emigrantë kanë humbur jetën, pasi i ka shkelur treni i cili po qarkullonte në hekurudhën Shkup-Veles...

Ministria e Punëve të Brendshme lajmëroi se viktimat kanë qenë ulur në binaret e hekurudhës dhe nuk kanë arritur që të kërcejnë dhe të largohen me kohë.
“Sipas deklaratës që ishte marrë në MPB nga ana e makinistit që po drejtonte trenin ekspres nr. 334, që qarkullonte në relacionin Gjevgjeli–Beograd, rreth orës 22:30 minuta, duke udhëtuar në drejtim të Shkupit, makinisti ka vërejtur një grup të madh të emigrantëve, ka tentuar për të ndalë trenin, por për fat të keq nuk ka mundur të ndalë trenin, gjithashtu edhe një pjesë e emigrantëve ilegal nuk kanë mundur të largohen nga binaret e hekurudhës, ashtu që i ka shkelur”- deklaroi Ivo Kotevski nga MPB.
MPB-ja njofton se pas ekspertizës nga ana e prokurorit publik themelor të Velesit së bashku me ekipin hetues të SPB-së të Velesit, në vendngjarje janë gjetur trupat e 14 emigrantëve ilegal, gjithashtu janë gjetur edhe 8 emigrantë tjerë, ku sipas njohurive të para bëhet fjalë për emigrantë nga Afganistani dhe Somalia, të cilët janë arrestuar dhe dërguar në Stacionin Policor në Veles për procedim të mëtejshëm. MPB-ja gjithashtu njoftoi se po merr masa në drejtim të sigurimit më të madh të kufirit jugor, prej nga edhe vijnë emigrantët ilegal. (Ersan Pajaziti, TVM2)
