Në shkollën e re në Vizbeg ende s'ka ra zilja

20.09.2024 18:08

Edhe pse viti i ri shkollor ka filluar gati një muaj, kjo nuk vlen për shkollën në Vizbeg....

Edhe pse viti i ri shkollor ka filluar gati një muaj, kjo nuk vlen për shkollën në Vizbeg, për fëmijët e kësaj lagjeje. Prindërit dhe nxënësit, në protestë para shkollës.

Pamundësinë e mbarëvajtjes së mësimit në shkollën e shumëpritur në Vizbeg, banorët nuk e arsyetojnë me mungesë kuadri, por thonë se është vetëm neglizhim, lojë politike dhe injorim i qëllimshëm.

Banorët dhe nxënësit, në protestë, Elezi: Të hënën hapet konkursi

Prindërit e fëmijëve, me kritikë edhe për mungesë të ndriçimit, sinjalizimit dhe kushteve të papërshtatshme rrugore.

“Neve si qytetarë na kanë bërë thirrje që t'i tërheqim nxënësit prej shkollave të tjera e t'i regjistrojmë këtu. Këtu i kemi regjistruar dhe tani thonë se nuk ka kuadër, nuk ka arsimtarë. Kjo është absurd në shekullin 21 mos të ketë arsimtarë. Arsimtarët rrinë nëpër shtëpi, kuadër ka sa të duash.”, - tha një prind.

“Ne i drejtohemi sot publikisht MASh-it, kryetarit të komunës dhe posaçërisht zëvendësministrit, Lulzim Aliu, me një pyetje të thjeshtë dhe të qartë: Kur do t'i hapni dyert e shkollës së Vizbegut dhe t'i jepni fund këtij bllokimi të padrejtë, që po prek fëmijët tanë?”, - u shpreh një banor i Vizbegut.

Humbjen e orëve mësimore nuk e duan nxënësit që duhet të vijojnë mësimin në këtë shkollë të re. Kërkojmë të jenë të barabartë me moshatarët e tyre.

“Neve para dy javëve na kanë thënë t'i nxjerrim dokumentet prej shkollës "26 Korriku". I kemi sjellë te shkolla e Vizbegut, por shkolla nuk po hapet. Ne tani kemi mbetur pa mësim. Po vijmë nga ora 07:00, por shkolla është e mbyllur.”, - tha një nxënës.

“Tre javë jemi në shtëpi dhe po i mësojmë mësimet vetë.”, - u shpreh një nxënës tjetër.

Drejtori i shkollës "Vizbeg", Kadri Elezi, për TVM2 tha se problemi pritet të zgjidhet në mënyrë të përshpejtuar, pasi që tashmë kanë marrë pëlqim nga institucionet relevante për hapjen e konkursit, në bazë të së cilës do të sigurohet kuadri i nevojshëm për mbarëvajtjen e mësimit.

“Mua më gëzon fakti që më në fund u bë finalizimi i pëlqimeve dhe dokumenteve të nevojshme nga të gjitha institucionet, ku bëmë kërkesën për hapjen e konkursit, që do të fillojë nga dita e hënë deri të mërkurën. Apeloj deri tek të gjithë të interesuarit, që të paraqiten në konkurs. Për informata të mëtejshme, të gjithë prindërit dhe nxënësit do të informohen nëpërmjet faqes së shkollës Sh.F.K. "Vizbeg".”.

Sipas informacioneve të shkollës nga komuna Butel, Çair, Shuto-Orizare, janë kthyer diku 212 nxënës, ndërsa regjistrimi në klasë të parë në këtë shkollë ka arritur në 48 nxënës. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)