Përshkallëzohet situata në Lindjen e Mesme, Galant: Kjo është një fazë e re e luftës
Situata në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet....

Situata në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet. Avionët luftarakë izraelitë kryen dhjetëra sulme ndaj objektivave në Libanin jugor mbrëmë vonë, në atë që konsiderohet si një nga sulmet më të rënda që nga fillimi i luftës. Pozicioni i ri i artilerisë u ngrit në lartësitë e Golanit, ndërsa tensionet kufitare rriten.
“Në ditët e fundit kemi zhvilluar një sërë diskutimesh të rëndësishme. Kjo është një fazë e re e luftës, ajo sjell mundësi, por edhe rreziqe të konsiderueshme. Hezbollahu ndjen se po persekutohet dhe veprimet ushtarake do të vazhdojnë.”, - deklaroi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Galant.
Miller: Ne do të vazhdojmë të iniciojmë paqe
Nga pozicioni i Departamentit të Shtetit është e rëndësishme të gjendet një zgjidhje diplomatike për depërshkallëzim të situatës.
"Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë prapa të drejtës së Izraelit për t'u mbrojtur, por nuk duam të shohim asnjë palë të përshkallëzojë këtë periudhë konflikti. Ne do të vazhdojmë të iniciojmë paqe, do të përpiqemi të inkurajojmë të gjitha palët për stabilizim dhe do të përpiqemi të arrijmë të flasim për një zgjidhje diplomatike.”, - theksoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.
Komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për qetësi. Presidenti francez Makron ka premtuar mbështetje për Libanin pas shpërthimit të qindra pejxherëve dhe pajisjeve radiofonike.
“Përshkallëzimi nuk është në interesin e askujt, gjithashtu ne duhet të ruajmë integritetin, sigurinë dhe sovranitetin e Libanit.”, - u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Nasrallah: Ndalimi i agresionit, e vetmja rrugë!
Veprimi i forcave ajrore izraelite vjen pasi lideri i Hezbollahut, Nasrallah, kërcënoi me hakmarrje të rëndë dhe ndëshkim të drejtë pas një serie sulmesh me eksplozivë të vendosur në pajisjet e komunikimit, që synonin grupin militant me bazë në Liban.
“Nuk do të flas për kohë, formë, vend apo datë. Lëreni temën dhe lajmet do të jenë ato që shihni, jo ato që dëgjoni. E vetmja rrugë përpara është ndalimi i agresionit dhe luftës kundër popullit të Gazës dhe Rripit të Gazës, dhe rrjedhimisht Bregut Perëndimor. Është e vetmja rrugë!”, - deklaroi lideri i Hezbollahut, Hasan Nasrallah.
Lidhur me sulmet e reja në Lindjen e Mesme, OKB-ja thotë se nuk kanë një shkop magjik për të ndalur konfliktet, por do të zbatojnë të gjithë mekanizmat për t'ia lehtësuar popullatës civile – Hezbollahut. Në shenjë mbështetjeje për Hamasin, pas fillimit të konfliktit në Rripin e Gazës më 7 tetor të vitit të kaluar, tani ajo lëshon raketa në veri të Izraelit. (Fitore Demolli, TVM2)
