Jankullovska: Arrestimet e mbrëmshme s’kanë të bëjnë me Gushincën; Rexhepi: Në polici më kanë pyetur për Gushincën dhe UÇK-në

24.04.2015 17:11

MPB-ja ka konfirmuar sot aksionin e mbrëmshëm në Kumanovë, ku u arrestuan 3 vëllezërit e familjes Rexhepi...

Por, ministrja e Brendshme, Jankullovska, thotë se janë arrestuar dy persona dhe jo 3. Ajo njoftoi sot se në shtëpinë e tyre janë gjetur 800 gram eksploziv. Për momentin MPB-ja nuk e lidhë aksionin e mbrëmshëm me incidentin në Gushincë, por e cilësoi si aksion i zakonshëm në raste kur ka njoftime për armëmbajtje pa leje. 

“Gjatë ditës së djeshme janë bërë kontrolle në tre objekte dhe janë arrestuar dy persona. Mes mjeteve të tjera janë gjetur edhe katër paketime me nga 200 gram eksploziv të llojit TNT. Kontrolli dhe aktiviteti i djeshëm i policisë, që është realizuar me urdhër adekuat, tani për tani nuk e lidhim me sulmin terrorist në Gushincë, është pjesë e punës së zakonshme të policisë”- deklaroi ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska.

Njëri nga të arrestuarit është pjesëtar i forcave të MPB-së dhe ai është liruar pasi i kanë marrë një deklaratë, ndërsa njëri prej vëllezërve, Shefki Rexhepi, u lirua sot. Sipas deklaratave të para të tij, ai është pyetur nga policia pikërisht për incidentin në Gushincë dhe UÇK-në. Sipas tij, policia ka konfiskuar kompjuterët personal, CD-të dhe dokumentacione të tjera që kanë pasur në shtëpi.

“Biseda më e madhe është bërë rreth vitit 2001, kush është ky, kush është ai. Mi kanë marrë kompjuterët, CD-në, dokumentacionin. E përzinin rastin e Gushincës. Thashë nuk më intereson mua ajo punë, ne punojmë për një rrogë, vëllanë e kam ende brenda, është invalid i tre luftërave. Të tre vëllezërit kemi qenë. Vëllai i vogël, ai punon në polici, atë e kanë liruar, mbrëmë e kanë liruar, vetëm i kanë marrë deklaratë, mua sot më kanë liruar”- tha Shefki Rexhepi.

Sa i përket incidentit në Gushincë, Jankullovska tha se pret bashkëpunim për këtë rast edhe nga Policia e Kosovës dhe për çdo informacion që mund të marrin nga pala kosovare, që do të vërtetonte apo eliminonte skenarët e caktuar për sulmin në stacionin policor.

Jankullovska, ndërkohë, i quajti spekulime lajmet e publikuara mbrëmë nga disa portale për prani të 50 personave të armatosur në Saraj, madje edhe për rrethime të zonës nga forcat policore. Jankulloska apeloi deri te mediat që të plasojnë vetëm informacione të verifikuara, për të mos u shpërndarë panik dhe për të mos ngritur tensione pa nevojë. (Sanije Kasami, TVM2)