Maqedoni
Balancuesi, pezullohet përfaqësimi etnik, Shasivari: Pezullohet edhe deklarimi i lirë etnik
21.09.2024 16:30
Ngrirja e balancuesit dhe tendeca për ta shfuqizuar tërësisht...

Ngrirja e balancuesit dhe tendeca për ta shfuqizuar tërësisht, rrezikon përfaqësimin e drejtë etnik në institucione. Sipas profesorit të së drejtës kushtetuese Jeton Shasivari, gjykata kushtetuese nuk ishte bindëse në marrjen e një vendimi neutral.
Andaj, sipas tij, vendimi përfundimtar do të jetë legal por jo edhe legjitim. Përpos pezullimit të përfaqësimit adekuat sipas Shasivarit është pezulluar edhe shprehja e lirë e përkatësisë kombëtare.
“Këtu është krejt problemi lidhur me këtë qasje të gjykatës kushtetuese, për shkak se përfaqësimi I drejtë dhe adekuat është e drejtë kushtetuese dhe një parim i përgjithshëm I cili drejtëpërdrejtë nuk mund të zbatohet pa ndërmjetësimin e ndonjë instrumenti ligjor siç ishte në rastin konkret balancuesi ose pa ndërmjetësimin e ndonjë ligji të veçantë që do të rregullonte zbatimin e kësaj vlere kushtetuese në punësimet dhe avancimet në sektorin publik, por edhe në organet e pushtetit shtetëror të komuniteteve joshumicë”, u shpreh profesori i së drejtës kushtetuese Jeton Shasivari.
Shasivari: S’është zbatuar me automatizëm
Shasivari sqaron se si vendimi i gjykatës kushtetuese nuk është i themeltë. Askund në botë nuk suspendohet vetë e drejta, thotë ai, nëqoftëse keqpërdoret një e drejtë, ashtu siç pretendon gjykata se është shkelur parimi kushtetues që secili duhet të jetë i barabartë, pavarësisht përkatësisë etnike.
“Nga ana tjetër për balancuesin është thënë në kuptimin që ka nënkuptuar punësime etnike, me automatizëm. Nuk ka qenë ashtu, për shkak se në këto ligje ku do të intervenojë gjykata kushtetuese, balancuesi nuk është zbatuar me automatizëm, por vetëm me plotësimin e kushteve ligjore të kualifikimit për vendet e punës në sektorin publik dhe në kombinim me sistemin e meritave”, theksoi Shasivari.
Shasivari: Do të krijohet një vakum juridik
Shasivari konsideron se qëllimi I balancuesit nuk është përmbushur pasi ka institucione me 0% të punësuar shqiptarë, apo institucione me përfaqësim simbolik sikurse në gjykatën kushtetuese, akademinë e shkencave, edhe me disa gjykata dhe prokurori në rajonin e Shkupit. Shasivari paralajmëron vakum juridik.
“Tani është krijuar një vakum mjaft I rrezikshëm juridik dhe ligjor lidhur me zbatimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe sa më parë duhet që të gjindet një instrument ligjor ose të miratohet një ligj I veçantë që do të siguronte zbatimin e kësaj vlere kushtetuese që është mjaft e rëndësishme për shkak se është një e drejtë kolektive e komuniteteve joshumicë i vendosur me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001”, u shpreh Shasivari.
Nga kolaicioni VLEN kanë paralajmëruar hartimin e ligjit. Këtë e ka konfirmuar edhe ministri I administratës publike Goran Minçev. Ai I prerë se ligji do të vijojë pas vendimit të gjykatës kushtetuese.
MERAL ISMAILI
