Maqedoni

Anulimi i “Balancuesit”, BDI: Do të hapë edhe shumë probleme të reja

21.09.2024 16:52

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e “Balanserit”...

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e “Balanserit” është vetëm fillimi i rrënimit të marrëdhënieve ndëretnike të ndërtuara me shumë vështirësi, vlerësojnë nga BDI. Pyesin kualicionin VLEN se a është hapi i rradhës konstatimi si “antikushtetues” deklarimi i përkatësisë etnike për kandidatët për deputet?” 
 
“Çështja e anulimit të “Balanserit” do të hapë edhe shumë probleme të reja në periudhën në vijim të cilat mund dhe do të çojnë drejt rrënimit të themeleve bazë të Marrëveshjes së Ohrit. E këtë edhe sikur të qeverisnin vetëm, pa shqiptarët, VMRO, ZNAM dhe Stoillkoviçi nuk do ta kishin arritur. Është për keqardhje sepse rrënimi i MO-së po ndodhë duke qenë në Qeveri edhe koalicioni që humbi zgjedhjet në bllokun shqiptarë VLEN, të cilët janë verbuar pas ca posteve të pakta qeveritare. A është hapi i radhës konstatimi si “antikushtetues” deklarimi i përkatësisë etnike për kandidatët për deputet? Sepse kështu aludon Vendimi i Gjykatës Kushtetuese “Deklarimi i përkatësisë etnike cenon lirinë e qytetarit”, thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së. 
 
Anulimi i “Balancuesit”, VLEN: Vendimi i turpshëm i gjykatësve të BDI-së    
 
Nuk ka manipulim më të madh sesa kur klika e BDI-së e akuzon VLEN-in për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, përbërja e së cilës është zgjedhur me propozim dhe pajtim të Ali Ahmetit, thonë në reagimin e tyre nga VLEN. 
 
“Për më tepër, iniciativa e Komisionit për Antikorrupsion për kontestimin e punësimeve mbi bazë të balancuesit, pra sipas përkatësisë etnike, është parashtruar në kohën kur Nuri Bajrami, baxhanaku i Talat Xhaferit, ishte anëtar i këtij komisioni. As Artan Grubi, si ish-ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, nuk ka dashur të dorëzojë argumente në Komisionin për Antikorrupsion për punësimet e shqiptarëve në administratë. Pra, fajtorët e drejtpërdrejtë për situatën aktuale me balancuesin janë Artan Grubi, Talat Xhaferi dhe Ali Ahmeti”, thonë nga VLEN.  
 
Nga ky kualicion përsërisin se janë garanci se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përdorimit të balancuesit nuk do të ndalojë punësimin e shqiptarëve në administratën publike, sepse ky është një status i garantuar kushtetues që buron nga Marrëveshja e Ohrit.
 
Keqpërdorimet e deritanishme me balancuesin, ku maqedonasit janë deklaruar si shqiptarë për t’u punësuar, do të zgjidhen nga VLEN-i me anë të një Ligji për përfaqësim të drejtë, i cili do t’u mundësojë shqiptarëve punësim në organet e administratës shtetërore mbi bazën e profesionalizmit, dhe jo për shkak të përkatësisë partiake, theksojnë nga VLEN.
 
ERSAN PAJAZITI