Botë

Rriten tensionet në Lindjen e Mesme, sulme midis Izraelit dhe Hezbollahut

21.09.2024 19:06

Tensionet në rritje në Lindjen e Mesme dhe sulmet e përsëritura midis Izraelit...

Tensionet në rritje në Lindjen e Mesme dhe sulmet e përsëritura midis Izraelit dhe milicisë së Hezbollahut në Liban, kanë shkaktuar qinda viktima. Numri i të vdekurve nga sulmi ajror izraelit në periferinë jugore të Bejrutit është rritur në 31.
 
Vitkimat ishin kryesisht gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite tha se vrau komandantin e lartë ushtarak të Hezbollahut, Ibrahim Aqil, së bashku me komandantë të lartë nga forcat elitare të grupit Radëan gjatë sulmit ajror. 
 
“Lufta në Liban vazhdon dhe ne po përgatitemi të përballemi me pasojat e saj. Në serinë e këtyre sulmeve ranë  31 dëshmorë, duke përfshirë tre fëmijë të moshës gjashtë, katër dhe dhjetë vjeç, si dhe shtatë gra. Në mesin e dëshmorëve janë tre Sirianë dhe ka shumë pjesë trupash që janë të coptuara dhe ende nuk janë identifikuar. Libani është dëshmitar i një krimi lufte”, u shpreh ministri i shëndetësisë Libaneze, Firass Abiad.
 
Ministri i Jashtëm libanez Abdallah Bou Habib paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për një “shpërthim të madh” të afërt mes sulmeve të përsëritura midis Izraelit dhe milicisë së Hezbollahut në Liban.
 
“Ose ky këshill ta detyrojë Izraelin të ndalojë agresionin e tij ose ne do të jemi dëshmitarë të heshtur të shpërthimit të madh që po shfaqet në horizont .Para se të jetë tepër vonë, duhet të kuptoni se ky shpërthim nuk do të kursejë as Lindjen, as Perëndimin dhe do të na kthejë në epokat e errëta”, theksoi ministri i punëve të jashtme në Liban, Abdallah Rashid Bou Habib.
 
Ndërsa Izraeli kërkon që Këshilli të dënojë Libani duke e konsideruar nxitës konflikti.
 
"Nëse Hezbollahu nuk tërhiqet nga kufiri ynë dhe nuk kthehet në veri të lumit Litani përmes përpjekjeve diplomatike, Izraelit nuk do t'i mbetet zgjidhje tjetër veçse të përdorë çdo mjet brenda të drejtave tona për të mbrojtur qytetarët tanë dhe për t'u mundësuar të evakuuarve të veriut të kthehen në shtëpitë e tyre”, u shpreh përfaqësuesi i Izraelit në OKB, Danny Danon. 
 
Ndërkohë SHBA-ja e cila hapur e ka shprehur mbështetjen për Izraelin, kërkoi që palët të përmbahen.
 
"Është e domosdoshme që edhe pse dalin faktet në lidhje me incidentet e fundit në të cilat unë përsëris, SHBA-të nuk luajtën asnjë rol. Të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim që mund ta fusë rajonin në një luftë shkatërruese", theksoi zëvendës përfaqësues i OKB-së i ShBA-ve, Robert Wood.
 
Edhe Komisionari i Lartë i OKB-së për të drejtat, Volker Türk, denoncoi ashpër serine e shpërthimeve vdekjeprurëse në Liban dhe në Gaza nga ana e Izraelit , duke i quajtur " krim lufte".
 
"Kjo situatë tragjike nuk mund të shihet e izoluar , kjo është e lidhur me luftën në Gaza, dhunën në rritje në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor, dhe pushtimin e vazhdueshëm të territorit palestinez nga Izraeli. E  gjitha kjo që ndodh është krim lufte", u shpreh komisionari i lartë i OKB-së, Volker Türk.
 
Pavarsisht kritikave dhe thirrjeve të vazhdueshme për armpushim, Izraeli vazhdon sulmet edhe në Gaza. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit 44 palestinezë janë vrarë, gjatë bombardimve Izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës. Shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë.
 
FARIJE DAUTI BAKIU