Botë
Shpërthen miniera në Iran, 51 persona humbin jetën
22.09.2024 12:47
Një shpërthim i shkaktuar nga një rrjedhje gazi në një minierë qymyri në Iranin lindor...

Një shpërthim i shkaktuar nga një rrjedhje gazi në një minierë qymyri në Iranin lindor ka vrarë të paktën 51 persona, ndërsa më shumë se 20 të tjerë u plagosën në provincën e Khorasanit të Jugut. Raportohet se është shkaktuar nga një shpërthim gazi metani në dy blloqe të minierës në Tabas, 540 km në juglindje të kryeqytetit Teheran.
Guvernatori i Khorasanit të Jugut, Javad Ghenaatzadeh, tha se në momentin e shpërthimit në blloqe ishin 69 punëtorë.
“Kishte një shpërthim dhe fatkeqësisht 69 persona punonin në blloqet B dhe C të minierës Madanjoo. Në bllokun C ishin 22 persona dhe në bllokun B ishin 47 persona”, u shpreh guvernatori i Khorasanit, Javad Ghenaatzadeh.
Mbetet e paqartë se sa njerëz janë ende gjallë dhe të bllokuar brenda minierës.
Presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian u dërgoi ngushëllimet e tij familjeve të viktimave, duke shtuar se ministrat e punës dhe të sigurisë ishin në rrugë për në Tabas për të hetuar dhe trajtuar çështjen.
