Maqedoni

VLEN, balancuesi shkaktoi tensione brenda “frontit”

22.09.2024 16:28

Loja e ndyrë mbi kurrizin e shqiptarëve, e orkestruar nga klika e kriminalizuar e BDI-së...

Loja e ndyrë mbi kurrizin e shqiptarëve, e orkestruar nga klika e kriminalizuar e BDI-së, e cila vendosi “mina” në çdo segment të sistemit të shtetit gjatë sundimit të saj 22-vjeçar, tani është plotësisht e kuptuar nga shqiptarët, kanë akzuar nga Kualicioni VLEN.
 
Sipas VLEN balancuesi, mekanizmi i ngrirë për shkak të gjyqtarëve kushtetues të zgjedhur gjatë BDI-së dhe LSDM-së së delegjitimuar, u bë shkak për tensione të reja në të ashtuquajturin "Front Evropian". 
 
“Deputeti Elmi Aziri, një nga protagonistët kryesorë të koalicionit me BDI-në, filloi të tregojë shenja se e ka kuptuar lojën e Ali Ahmetit dhe Artan Grubit. Kulla e kartave, e ndërtuar mbi bixhoz, krim dhe mashtrime, po e gërryen më shumë ndërgjegjen e deputetit Aziri. Ai, me vetëdije ose pa vetëdije, filloi të zbulojë të vërtetën që VLEN e ka thënë që në fillim: gjyqtarët kushtetues janë zgjedhur nga BDI-ja e kriminalizuar. Tani, duke marrë parasysh se iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së balancuesit është mbështetur nga Nuri Bajrami, baxhanaku i Talat Xhaferit, ndërsa Artan Grubi, si ministër i atëhershëm për Sistemin Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, nuk ka dashur të dorëzojë argumente në Komisionin për antikorrupsion për punësimet e shqiptarëve në administratë, po i thellon akoma më shumë mosmarrëveshjet në këtë "Front". Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e balancuesit është një tjetër konfirmim se BDI-ja, në vend që t’i shfrytëzojë funksionet në Qeveri me LSDM-në e delegjitimuar për zgjidhjen sistematike të statusit të shqiptarëve, u fokusua në grabitjen e parave publike dhe pasurimin personal”, thonë nga kualicioni Vlen. 
 
Nga ky koalicion garantojnë se ngrirja e balancuesit nuk do ta rrezikojë të drejtën e punësimit të asnjë shqiptari, as të përfaqësuesve të grupeve të tjera etnike, pasi paralajmërojnë miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë.
 
BDI, komunikatat e VLEN i shkruan VMRO-DPMNE
 
Ndërkohë Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se kumtesat e Kualicioni VLEN kundër BDI-se po i shkruan VMRO-DPMNE. Këtë qëndrim ata e bazojnë te një kumtesë për media nga VLEN kun ë verzionin maqedonisht në fund shkruan “Përkthejeni në shqip”.
 
“Sot, servilët politik shqiptarë, të cilat kanë hyrë në qeveri përmes mbështetjes së partive maqedonase, kanë lëshuar një deklaratë të pabazuar kundër BDI-së dhe liderit tonë, Ali Ahmeti. Ajo që është më shqetësuese është një gabim në fund të kësaj deklarate, ku është lënë fjalia “përkthejeni në shqip”, duke zbuluar se këto deklarata janë shkruar nga padronët e tyre maqedonas, VMRO-DPMNE, dhe më pas u janë dorëzuar atyre. Ky fakt tregon qartë se këto subjekte nuk përfaqësojnë interesat e popullit shqiptar, por janë vegla në shërbim të interesave të tjera. Me këtë akt të turpshëm, ato kanë treguar hapur se nuk kanë pavarësi politike dhe po përdoren për të sulmuar interesat e shqiptarëve dhe për të njollosur vlerat e UÇK-së dhe BDI-së”, thuhet në reagimin e BDI-së. 
 
ERSAN PAJAZITI