Maqedoni
Ekonomi, LSDM: Paga mesatare ulet pas shtatë viteve
22.09.2024 17:12
Politikat ekonomike të Hristijan Mickoskit dhe qeverisë së VMRO-DPMNE-së dështuan...

Politikat ekonomike të Hristijan Mickoskit dhe qeverisë së VMRO-DPMNE-së dështuan, pasi për herë të parë, pas shtatë vitesh rritje konstante, jemi dëshmitarë të rënies së pagës mesatare në vendin tonë - është ulur për 1000 denarë, theksojnë nga LSDM opozitare.
Nga kjo parti sqarojnë se sipas të dhënave zyrtare të Entit shtetëror për statistikë, paga mesatare mujore për të punësuar në korrik të këtij viti ishte 40.961 denarë, ose për 1.000 denarë më pak se paga në qershor, kur ishte 41.939 denarë.
“Në kohën e VMRO-DPMNE-së, në vitin 2015, paga mesatare ishte vetëm 20.853 denarë.Me LSDM-në paga është rritur vazhdimisht. Në vitin 2020 paga mesatare ka qenë 28.294 denarë, në vitin 2022 ka qenë 34.364 denarë dhe në vitin 2024 ka arritur mbi 41.000 denarë. Erdhën VMRO-DPMNE dhe Mickoski dhe pagat filluan të ulen. Është e papranueshme për çdo qeveri që të lejojë një gjë të tillë, veçanërisht kur familjet janë duke luftuar me rritjen ditore të çmimeve”, u shpreh Jovana Trençevska nga LSDM.
Ekonomi, VMRO-DPMNE: Na pret transformim ekonomik
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE këtë pretendim të LSDM_së e ka quajtur manipulim, duke thënë se vendi ka dëme të pariparueshme nga qeverisja e LSDM-së.
“Përderisa Maqedonia kishte një rritje të Bruto Prodhimit Vendor për kokë banori në periudhën 2017-2022 prej vetëm 20%, në Serbi rritja është 50%, kurse për të njëjtën periudhë në Bullgari u rrit në 64%. Shqipëria ka gjithashtu më shumë se dyfishin e rritjes së Maqedonisë, ku Prodhimi I Brendshëm Bruto për kokë banori në periudhën 2017-2022 u rrit me 52%. Në vitin 2017 Maqedonia kishte bruto-prodhimin vendor më të lartë se Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina, tani të dyja vendet që ishin pas nesh na kanë kaluar, kurse Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi janë akoma më shumë përpara nesh.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së, duke shtuar se me qeverisjen e tyre vendi do të shkojë në një transfromim ekonomik.
ERSAN PAJAZITI
