Botë

Lindja e Mesme, Izraeli bombardon sërish Libanin

23.09.2024 12:19

Vazhdojnë sulmet e Hezbollahut në Luginën Beka të Libanit Jugor, përderisa sirenat e alarmit u dëgjuan në veri të vendit....

Vazhdojnë sulmet e Hezbollahut në Luginën Beka të Libanit Jugor, përderisa sirenat e alarmit u dëgjuan në veri të vendit. Mbrojtja e Tel Avivit pretendon se ka kapur dronët iranianë të infiltruar nga Siria. Ata thonë se do të vazhdojnë sulmet derisa të arrijnë objektivet e tyre. Ata paralajmëruan civilët në Liban, që të mos lejojnë militantët të përdorin shtëpitë e tyre për ruajtjen e  armëve.
 
“U bëjmë thirrje të gjithë banorëve të Libanit, kujt do që ndodhet pranë pronave apo në shtëpitë ku Hezbollahu fsheh armët, të distancohen menjëherë prej tyre. Kjo është për sigurinë dhe mbrojtjen tuaj.”, - deklaroi zëdhënësi i Forcave Izraelite, Daniel Hagari.
 
“Ne po thellojmë sulmet tona në Liban dhe do të vazhdojmë derisa të arrijmë qëllimin tonë për të kthyer banorët e veriut të sigurt në shtëpitë e tyre. Suksesi do të varet nga Fronti i Brendshëm. Ditët janë përpara kur publiku do të duhet të tregojë qetësi, disiplinë dhe bindje të plotë ndaj direktivave të Komandës së Frontit të Brendshëm.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes në Izrael,  Joav Galant. 
 
Hezbollahu bën të ditur se lufta me Izraelin është në një fazë të re dhe banorët nuk do të kthehen në veri.
 
“Kemi hyrë në një fazë të re të titulluar “Beteja për llogari të hapura”, në të cilën do të vazhdojmë me frontin e mbështetjes dhe përballjes. Populli i veriut nuk do të kthehet. Në vend të kësaj, zhvendosja do të rritet dhe mbështetja do të zgjerohet. Zgjidhja ushtarake e Izraelit vetëm sa thellon gjendjen e vështirë të Izraelit dhe popullit të veriut dhe nuk zgjidh çështjet e tyre. Pra, shkoni në Gazë dhe ndaloni luftën!”, - u shpreh zëvendëssekretari i Hezbollahut, Naim Qasem.
 
Edhe presidenti i Turqisë nga Nju Jorku tha se sulmet e reja të Izraelit mbi Libanin do të zgjerojnë luftën në tërë rajonin. Shefi i OKB-së, Guterres, është i shqetësuar se Libani mund të bëhet një Gazë e dytë. ShBA-ja thotë se po bën gjithçka që mundet për të parandaluar një konflikt më të gjerë.
 
“Unë jam i shqetësuar. Por, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar shpërthimin e një lufte më të gjerë.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Xhosef Bajden.
 
Kreu i diplomacisë evropiane bëri thirrje gjithashtu për de-përshkallëzimin. Borrell theksoi nevojën urgjente për një armëpushim përgjatë "Vijës Blu", si dhe në Rripin e Gazës, ku nën hijen e armiqësive midis Hezbollahut dhe Izraelit, sulmet ajrore kanë vazhduar, duke vrarë dhjetëra civilë.


FLUTURA LATIFI