Maqedoni
Tërmeti lëkund Shkupin dhe Gostivarin
23.09.2024 14:14
Një tërmet me magnitudë 3.4, sipas shkallës së Rihterit, zgjoi qytetarët e kryeqytetit rreth orës 02:02 minuta pas mesnate....

Një tërmet me magnitudë 3.4, sipas shkallës së Rihterit, zgjoi qytetarët e kryeqytetit rreth orës 02:02 minuta pas mesnate. Sipas informacioneve zyrtare, epiqendra ishte 14 kilometra nga kryeqyteti, në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, në thellësi prej 7 kilometrash. Tërmeti u ndje pothuajse në të gjitha vendbanimet në kryeqytet.
“Rrjeti sizmologjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut mbrëmë në ora 02:02 ka regjistruar një tërmet me epiqendër që i përket zonës epiqendrore të Shkupit, me magnitudë lokale të Rihterit 4. Sipas të dhënave të deritanishme që disponon observatori, tërmeti është ndjerë nga popullata e qytetit të Shkupit dhe rrethinës, me intensitet III - IV gradë, sipas shkallës makrosizmike evropiane.”, thuhet në njoftimin zyrtar të rrjetit sizmologjik të RMV-së.
Por, në mesditë përsëri u regjistrua edhe një lëkundje e re e tokës në vend. Tërmet i ri me magnitudë prej 2 gradë, sipas shkallës së Rihterit u ndje edhe rreth orës 12:15, 19 kilometra larg qytetit të Gostivarit. Sipas të dhënave zyrtare, thellësia e këtij tërmeti në Gostivar ishte 15 kilometra. Ky është tërmeti i parë në Shkup me këtë magnitudë në pesë vitet e fundit. Tërmet më i fuqishëm se ky ishte ai i 11 shtatorit të vitit 2016, me magnitudë 5.4 shkallë. Ndërkaq, tërmeti më i fuqishëm dhe shkatërrues në kryeqytet ka ndodhur në vitin 1963.
REXHEP QAMILI
